Arbëri

Anëtari i Nismës paralajmëron kalimin në VV pas koalicionit me PDK-në

Avni Tafili, që deri para rreth 1 muaji ishte kryetar i Degës së Partisë së Drejtësisë në Kaçanik, kishte vendosur t’i bashkohej Nismës për Kosovën.

Por, siç raportohet, Tafili ka qenë vazhdimisht kundër një koalicioni të mundshëm mes Nismës për Kosovën, AAK-së dhe PDK-së.

Dhe pikërisht ndodhi ky koalicion të cilin ai e kundërshtonte.

E tani, Tafili po thotë se koalicioni në mes të PDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën është marrëveshje kundër Kosovës dhe perspektivës së saj, dhe thotë se ky koalicion është kundër zhvillimit, pro hajnisë dhe tradhtisë.

“Koalicioni AAK-NISMA me PDK, marrëveshje kundër Kosovës dhe perspektives së saj. Kundër lirisë, kundër drejtësisë, kundër zhvillimit, pro hajnisë, tradhtisë e mashtrimit. Shpresoj, pas kësaj pabesie, të bojkotohet masovikisht ky koalicion”, ka shkruar Tafili në profilin e tij në Facebook.

Por, pak kohë para se koalicioni të zyrtarizohej, Tafili kishte kërcënëuar se nëse realizohet ky koalicion, ai do t'i bashkohej Lëvizjes Vetëvendosje.

“Shpresoj të mos ndodhë koalicioni i AAK-Nisma me PDK-në. Do të ishte katastrofale. Votoj kundër. Po ndodhi, i bashkohem VV-së”, kishte shkruar Tafili disa orë para zyrtarizimit të koalicionit PDK me AAK-Nisma.