Arbëri

Ismaili, përkthyesi i raportit të Deharit: Prokuroria konkluzionet m’i dorëzoi 15 minuta para se t’ia jepnin familjes

Ismail Ismaili, përkthyes i raportit të vdekjes të Astrit Deharit, ka sqaruar për KTV-në rrethanat e përkthimit të raportit. Ky raport, mori kritika të shumta nga njohës të gjuhës franceze, ashtu siç ishte raporti origjinal.

Ismaili e pranon se raportin që e ka përkthyer s’ka qenë i gjithi korrekt por thotë se ka pasur pak kohë për ta përkthyer e dorëzuar, dhe se ky raport, i është dërguar vetëm përmes Viberit.

“Faqja e konkluzioneve e cila ka qu pluhun shumë e që e thonë ata që është skandaloze, nuk është skandaloze se nuk ka shkaktu skandal sepse fjalët që i kanë thanë zviceranët janë të interpretume të gjitha. Por, nuk janë të radhitura mirë sepse nuk kam pas kohë. 15 mi ka çu me Viber m’u ka desht me ia përkthy për orën 10 e me ia dhanë. Dihet çka do të thotë ajo se për 15 min nuk mujm me shkru asnjë faqe le mo edhe me përkthy”, është shprehur Ismaili në një bisedë për KTV-në.

Ismaili, tregon se në raportin që ai ka pranuar, nuk ka qenë e përfshirë edhe faqja e konkluzioneve.

“Në kompjuter temin jom ul po tu e lexu prej Viberit cka ma ka qu ai. Kjo faqja e konkluzioneve nuk ka qenë në raportin që e kom marrë unë atë ditë për arsye se raporti prej 14 faqeve që më thonë ata i bashkëngjitet edhe kjo faqe është e nënshkruar nga dy mjekë ndërkaq konkluzionet janë të nënshkruara nga 3 mjekë do të thotë automatikisht bjen hipoteza që e kom pas përpara pra nuk e kom pas dhe i kom tregu edhe asaj zonjës, i thashë nuk e kom pas këtë faqe, tha mos e ke harru, i thashë jo se kom pas fare, kështu që po e përkthej sa të muj edhe e kom përkthy sa kom pas mundësi”, shprehet ai.

Sipas tij, me rregullat që kanë përkthyesit, do të duhej që në ditë të përktheheshin vetëm pesë faqe.

“Po të them një rregull që e kemi na përkthyesit. Maksimumi janë 5 faqe në ditë, maksimumi. Unë sikur t’i kisha përkthyer 5 faqe në ditë, ishin dal 20 faqe për 4 ditë sa kam pas, dmth ku po mbesin edhe 40 tjera. Do të thotë e kom tejkalu normën, shkaku i familjes dhe rëndësisë së raporti kam ba gjithçka që ta përkthej e ta dorëzoj. Ka në raport gjana që e vërtetojnë atë që thonë zviceranët sepse ata nuk e thonë direkt e lënë me nuanca por që e vërtetojnë se djali është vra, djali nuk ka ba vetëvrasje”, tha ai.

Ismaili, tregon edhe njëherë se të gjitha këto faqe për përkthim, i ka pranuar vetëm përmes Viberit. Por, e pranon se jo gjithçka e ka përkthyer mirë.

“Kur e kom marrë raportin në fillim nuk ma kanë dhanë këtë faqe. Kjo faqe po të tregoj edhe një herë se më është dorëzuar përmes Viberit të enjten 7 min në 10. Sa kom mujt ia kom dorëzu. Kur e kam kthy atë faqe me lexu e kam pa që nuk është shumë shumë mirë. Len gjana që mund të interpretohen. Nuk guxoj me i interpretu fjalët e zviceranëve. Unë jam përkthyes gjyqësor, administrativ që nëse më bie të përkthej material mjekësor, ose duhet me kërku ndihmë nga dikush ose duhet me përdor një grumbull fjalorësh. Unë kam përkthy fizioterapi 3 vjet në Prishtinë dhe 2 në Tiranë, dhe më mundëson me ditë përafërsisht termat e anatomisë së turpit tonë pra kërkoj më rrallë ndihmë. Këtë e kam përkthy vet, s’kam dal kurrë prej banesës. Jo nuk është më e mira që kam mund me e bo. Sikur të më jepnin afat së paku 2 javë, unë do ta kisha përkthy ashtu sic duhet, do të kërkoja gjithsesi ndihmë nga një mjek. Por, prapë raporti nuk është keq se ka të dhënat janë të vërteta, ata çka i kanë thanë komplet”, tha ai.

KTV-ja ka tentuar të flas edhe me kryeprokurorin e Prizrenit, Admir Shala por ai nuk është përgjigjur në thirrjet e televizionit.

Raporti përfundimtar dhe ai i zgjeruar për rastin e vdekjes së Astrit Deharit [Dokumente]