Arbëri

Prokuroria ishte e bindur në vetëvrasjen e Deharit, e rrethanat ishin të dyshimta

Tendencën e prokurorisë vendore që rastin e Astrit Deharit ta mbyllin në sirtarë me konstatimin e vetëvrasjes, gati tri vjet pas rastit tragjik, e ka kthyer mbrapsht ekspertiza nga Zvicra.

Që prej 5 nëntorit të vitit 2016, kur Dehari ishte gjetur pa shenja jete në qelinë e tij në Prizren, për shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së tij, informacionet kishin qenë kundërthënëse, raporton KTV.

Se Dehari ishte vetëvrarë, Prokuroria Themelore në Prizren, atë kohë e udhëhequr nga Sylë Hoxha, kishte konstatuar pas hetimeve dhe në bazë të raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Gati një muaj pas kësaj, një raport i ekspertëve të pavarur, Besim Latifaj dhe Besim Ymaj, e thoshte të kundërtën me atë të Institutit të Mjekësisë Ligjore: vdekja e tij ishte e dhunshme, ishin gjetur shenja të vetëmbrojtjes dhe sugjeronte prokurorinë që t’i orientonte hetimet kah vrasja.

Një raport i tillë nuk ishte mirëpritur nga atëherë ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, që me anë të një shkrese i kishte kërkuar Prokurorisë të hetojë ekspertët e pavarur, Latifaj e Ymaj, si edhe avokatin Gashi për tejkalim të autorizimeve ligjore.

Hoxha kishte qenë në thumb të kritikave për formën se si ishte menaxhuar rasti i Deharit, por edhe ajo kishte konstatuar se aktivisti i Vetëvendosjes ishte vetëvrarë dhe se rasti po shfrytëzohej për përfitime nga partia e tij.

Madje në një postim në gushtin e vitit 2017, Hoxha kërkonte nga Lëvizja Vetëvendosje të tregonte se pse i kishin dërguar drejt vetëvrasjes, Astrit Deharin dhe vëllanë e tij, Arbnorin.

Edhe shefi në partinë e Hoxhës, Kadri Veseli, kishte lëshuar një deklaratë kundërthënëse në Kuvend, kur me sy kah deputetët e Vetëvendosjes, në një seancë të tensionuar, u ishte drejtuar me fjalët: Ishalla veç s’e vrani veten.

Kuvendi, në dhjetor të 2016, kishte nxjerrë një rezolutë për t’i hapur rrugë ekspertizës, e cila megjithatë ishte penguar me procedura burokratike, duke e kundërshtuar zgjedhjen e familjes për Institutin Zviceran, me arsyetimin se ky shtet nuk ishte pjesë e BE-së, siç parashihte rezoluta.

Një tjetër zhvillim në lidhje me rastin e Deharit, ishte edhe vdekja e dyshimtë e Naser Makollit, dëshmitarit kryesor të rastit, personit që ndante qelinë me Astrit Deharin dhe i pari që kishte mbërritur në vendin e ngjarjes.

Ai kishte vdekur vetëm 5 muaj pas Astrit Deharit dhe familjarë të tij për mediat thanë se ankesat për probleme në lukth i ishin shfaqur vetëm muajve të fundit.

Pak muaj më vonë, në tetorin e 2017, prokurori i rastit, Metush Biraj, në një deklaratë për KTV-në, kishte bërë të ditur se rasti veç po shkonte drejt mbylljes me bindjen se bëhet fjalë për vetëvrasjen.

Ky version mbeti i papranueshëm nga familja Dehari dhe tani, me rezultatin e raportit nga Instituti zviceran, i hapet rrugë një hetimi të ri.

“Në fakt, hipoteza e një vetëvrasjeje të z.Dehari përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh,” është një prej konkluzioneve të raportit.