Arbëri

Në veri të Mitrovicës po vazhdon aksioni policor

Descriptive Text

Në Mitrovicën Veriore është duke vazhduar aksioni policor që nisi javën e kaluar, për arrestimin e tre të dyshuarve të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Ky aksion policor është konfirmuar për KTV-në nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Ky aksion është duke u bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe është vazhdim i aksionit te mëparshëm, për arrestimin e tre të dyshuarve për veprat penale “Krim të organizuar” dhe “Keqpërdorim te pozitës zyrtare”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale.

Kujtojmë se më 16 tetor, ditë e mërkurë, që nga orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës nisi aksion policor në veri me ç’rast u arrestuan dy persona, e njëri është ende në kërkim, nën dyshimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Rade Basara, është njëri prej policëve të arrestuar të cilit iu dha një muaj paraburgim, derisa, Zhelko Bojiq, është ende duke u kërkuar. Hetuesi i PK-së i arrestuar Rade Basara po hetohet nga PSRK për keqpërdorim të detyrës zyrtare që lidhet me hetimet dhe vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Pos kësaj, ai po hetohet edhe për “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”.

Kolegët e tij e kanë kërkuar në dy lokacione të ndryshme edhe Zhelko Bojiqin, shef i operativës se Policisë për komunat veriore, por nuk kanë arritur ta gjejnë atë. Në njërin lokacion, megjithatë, e kanë arrestuar djalin e tij, Vasilje Bojiq, sepse i janë gjetur armë dhe municion, por ai është liruar në procedurë të rregullt dhe do të hetohet vetëm për armëmbajtje pa leje.