Selmanaj: Pa përfshirjen e amerikanëve, s’ka zgjidhje të çështjes me Serbinë

22 October 2019 23:38
00:08

Driton Selmanaj, ish-deputeti i LDK-së, pretendent edhe për një mandat, ka thënë se dialogu me Serbinë është i paalternativë për partinë që ai përfaqëson.

Thotë se dialog duhet të ketë edhe me vendet tjera me të cilat kemi çështje të hapura, por thotë se me Serbinë të gjitha çështjet e hapura do të kalojnë në reciprocitet.

Ai ka kërkuar përfshirje më të madhe të amerikanëve në procesin e dialogut.

“BE-ja ka qenë facilitues, e jo ndërmjetës, dhe është dëshmuar që s’ka pasur sukses në dialog. Raporti i Kosovës me Serbinë, dhe të gjitha çështjet tjera në rajon, janë zgjidhur vetëm kur amerikanët kanë vendosur të përfshihen në temë”, theksoi Selmanaj në Interaktiv të KTV-së.

Ai tha se reciprociteti me Serbinë përfshin edhe taksën 100% ndaj mallrave serbe. Tha po ashtu se Serbia s’mund të kërkojë të hiqet reciprociteti sepse nëse ata e vazhdojnë politikën e njëjtë ndaj Kosovës.

“Jam i sigurt se një qasje serioze e Kosovës do t’i detyrojë ata të ulen në bisedime. Çfarë kemi parë deri më tani, është se kemi pasur një president që donte ta ndante Kosovën, dhe një kryeministër që dezertoi për të mos u marrë me këtë çështje. Kryeministri i kaluar e ka parë mandatin e tij me sezone. Kemi pasur uzurpim të procesit të dialogut nga presidenti dhe dorëzim ndaj këtij procesi nga kryeministri. Kemi shumë punë të brendshme, por konsolidimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare mund ta bëjmë vetëm kur të përfaqësohemi denjësisht. Kryeministri ka mandatin, të drejtat dhe përgjegjësitë për gjithçka që lidhen me Kosovën”, theksoi ish-deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

23:59

Selmanaj kërkon rinumërim të plotë të të gjitha vendvotimeve në Kosovë

Driton Selmanaj nga LDK-ja ka kërkuar rinumërim të plotë të të gjitha vendvotimeve në Kosovë.

Sipas tij, kjo sepse nga procesi i rinumërimit të më shumë se 830 vendvotimeve janë parë parregullsi të shumta.

“Jemi në fazën ku ka pasur ankesa për numërimin dhe jemi në fazën e rinumërimit. Rinumërimi po nxjerr që ka fenomen, qasje skandaloze të komisionerëve në numërimin e votave të kandidatëve për deputetë. S’po kontestohet subjekti, por në të gjitha vendvotimet po del diskrepancë e madhe e votave mes kandidatëve. Te të gjitha partitë vlen kjo. Në rajone të caktuara, ajo parti ku është e fuqishme vërehen dallime të mëdha. Për shembull në një shkollë në Deçan, gjatë procesit të numërimit të votave, kryeministri në largim Ramush Haradinaj ka pasur 197 vota me një vendvotim, në rinumërim 112. Do të thotë 80 vota më pak. Teuta Haxhiu 84 në numërim, në rinumërim bie në 9. Daut Haradinaj 144 e tash 84. LDK në këtë klasë për mua kishte 0, e në rinumërim më shtohen 14. Në secilin vendvotim po ndodh ky fenomen. Kjo tregon se s’është rast i izoluar. Kush qëndron prapa kësaj, duhet të merret verdikti i organeve të drejtësisë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

“Duhet rinumërim në të gjithë Kosovën. Duhet sepse këto që kanë shkuar po nxjerrin parregullsi e ne a duam Kuvend ku deputetët përfaqësojnë komisionerët, apo votuesit realë. Këtë deformim e kanë bërë komisionerët. Më mirë të presim pak për certifikim sepse më pas do të kemi kuvend që s’përfaqëson votuesin. Kjo cenon rëndë të drejtën e votës. Duhet të merren më pas me to organet e drejtësisë”, ka shtuar Selmanaj.

Sipas Selmanajt, për të parandaluar një gjë të tillë, duhet të ndërrohet ligji për zgjedhje.

“Duhet të ndërrojmë ligjin për zgjedhje dhe në vendvotime të numërohen vetëm rezultatet e partive, ato të kandidatëve gjithmonë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Mos të lihen në duar të komisionarëve e vëzhguesve sepse po shkatërrojnë një proces”, ka thënë ai duke shtuar se nëse LDK-ja hyn në qeverinë e ardhshme “do ta bëjë reformën zgjedhore”.

23:53

Selmanaj thotë se disa ministri do të shuhen e disa do të bashkohen – maksimumi do të jenë 12

Kandidati për një mandat të ri të postit të deputetit nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se suksesi i madh për qeverinë e re do të jetë vetëm kthimi i vendit në binar, sepse, siç tha ai, qeveritë e kaluara kanë degraduar gjithçka.

Në Interaktiv të KTV-së, Selmanaj foli për kushtet në lidhje me koalicionin e mundshëm mes LDK-së dhe VV-së, duke theksuar se partia që ai përfaqëson nuk ka kushte konkrete.

“Kushte konkrete nuk kemi, por duhet të merremi vesh për shumë çështje. Është dialogu me Serbinë për çka duhet të ulemi e të bisedojmë qartazi. Prekja e territorit të Kosovës nuk mund të negociohet dhe unitariteti i shtetit janë pika që LDK-ja s’pranon të diskutohen. LDK-ja ka thënë se duhet të kalojmë në marrëveshje reciprociteti të plotë me Serbinë. Nëse ne kemi telashe me targa në Serbi, edhe ata do të kenë në Kosovë, njëjtë edhe për pasaportat. Nëse ata s’na njohin pasaportat tona, s’do t’ua njohim as ne atyre”, tha ish-deputeti Selmanaj.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosja duhet të ndërrojë mënyrën e funksionimit tani që ka dalë partia e parë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Thotë se ajo më nuk është lëvizje që del në rrugë për të protestuar kundër qeverisë.

“Është parti fituese, dhe nuk hyhet në negociata me askënd me kushte, e aq më pak me ata që pretendon të bashkëqeveris. Ne nuk kemi asnjë çështje që mund të themi se ‘kjo na takon neve, e kjo juve’. Në dialogun mes dy partive do të dalin edhe emrat e përveçëm për ministra. Kushtet nga ta i kam dëgjuar vetëm në TV, s’i kam dëgjuar as nga takimet që kolegët e partisë i kanë pasur me ta. Uroj të jetë kështu, e të jenë vetëm çështje të televizioneve. Duhet të ulemi e të diskutojmë për secilën çështje sepse po e marrim një Kosovë të dërmuar”, potencoi Selmanaj.

Ai thotë se në LDK s’janë diskutuar çështjet se kush cilën ministri mund ta drejtojë.

Thotë po ashtu se lajm i madh për Kosovën është edhe zvogëlimi i qeverisë sepse, sipas tij, “qeveria e kaluar ka qenë zhvatëse, ka qenë qeveria më e madhe, e ngjashme me Kinën”.

“Kishin afërsisht 100 zv/ministra, pastaj shpiknin pozita vetëm për të rehatuar njerëz. Kishim koordinatorë nacionalë, pa e dikur kush se çfarë bëjnë ata. Koordinatori nacional i arsimit organizonte teste për të cilat as Ministria e Arsimit nuk ishte e informuar. Nga 21 ministri do të ulen në 12. Pozitat e koordinatorëve nacionalë do të shuhen. Zëvendësministrat do të jenë shumë më të pakët. Do të bëhen kursime deri në 100 milionë euro në vit me zvogëlimin e tyre. Ministria e Inovacionit apo e Zhvillimit Rajonal, këto ministri bien komplet. Kemi bërë skemën organizative të qeverisë e cila nuk kalon mbi 12 ministri. Ky s’do të jetë lajm i keq për njerëzit që punojnë në ministri. Njerëzit që janë punësuar si të rregullt do të punojnë nëpër ministri. Ata që duhet të frikësohen janë ata që s’kanë punuar kurrë nëpër këto ministri edhe pse kanë qenë të punësuar – pra kushtimisht ky mund të jetë lajm i keq për ta”, u shpreh ish-deputeti i LDK-së.

Ai ka thënë se janë të detyruar të flasin edhe me Listën Serbe për shkak të obligimeve kushtetuese, por ka shtuar se kjo çështje s’mund të jetë pikëndarëse me VV-në. Sipas tij, Lista Serbe nuk përfaqëson realisht qytetarët serbë në Kosovë, por Qeverinë e Beogradit.

23:38

Selmanaj: Qeveria e ardhshme mjafton të mos vjedhë

Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se qeveria e re e Kosovës duhet të bëjë reforma të thella, jo veç ndërrim qeverie.

Duke folur për diskutimet mes VV-së e LDK-së për të formuar koalicionin qeverisës, Selmanaj ka thënë se për të bërë punë, qeverisë së ardhshme i mjafton të mos vjedhë.

“Duhet të ketë reforma të thella, jo veç ndërrim qeverie, por duhet të bëjmë reforma të tilla që kthejnë shpresën për të jetuar në Kosovë. Qeveria e ardhshme, edhe nëse s’bën punë fare, veç nëse s’vjedh do të bëjë punë shumë të mira për Kosovën. Ka për t’u parë. Në çdo sferë ku prek jeta e qytetarit ka nevojë për ndryshime”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se edhe në takimin e së mërkurës, nesër, dy partitë nuk do të diskutojnë për ndarje dikasteresh, por do të vazhdojnë dialogun për çështjet programore. Për diskutimet ka thënë se janë në trend pozitiv, ndërsa ka shtuar se pas certifikimit të rezultateve pret që gjithçka të marrë hov tjetër.

Sipas Selmanajt, fitorja e VV-së si e para dhe LDK-së si e dyta “është fitore e madhe e Kosovës, pasi fitoi opozita e deridjeshme”. Ai ka thënë se është mirë që morën fund “partitë që për shumë vjet degraduan sistemin në Kosovë e abuzuan me paranë publike”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme