Raporti që zbardh detaje për mënyrën e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, u konfirmua se ka ardhur në Kosovë. Sipas autoriteteve, raporti ka arritur ditën e mërkurë.
Raporti ka arritur pas më shumë se një viti prejse familja Dehari patën përzgjedhur një institucion zviceran për të kryer ekspertizën mbi mënyrën se si ka vdekur i biri i tyre, Astrit Dehari, përderisa mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në paraditen e së enjtes kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka mbajtur një konferencë për media përmes së cilës ka njoftuar se Ambasada e Zvicrës ua ka dorëzuar këtë raport. Shala e ka prezantuar para gazetarëve një zarf, i cili ishte i mbyllur. Ka thënë se përmbajtjen e tij nuk e di, pasi që ai zarf do t’i dorëzohet prokurorit të rastit, i cili do ta trajtojë.
“Ky raport është me zarf të mbyllur, akoma nuk e dimë se çka ka brenda. Sot u dorëzua në Prokurorinë e Shtetit, në këtë zarf. Do t’ia dërgojmë prokurorit të rastit”, ka thënë kryeprokurori Shala.
Ai ka shtuar se zarfi ose raporti do t’i dërgohet familjes në momentin që raporti përkthehet në shqip.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)