Arbëri

Zaevi, BE-së: Nëse s’çelni negociatat me Shkupin, demotivoni dialogun Kosovë-Serbi

Foto: Zoran Zaev / FB

Edhe pse Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk arriti një vendim unanim për t’u dhënë datë Maqedonisë së Veriu dhe Shqipërisë, Kryeministri maqedonas Zoran Zaev nga Vjena deklaroi se ende ka shpresë se vendim pozitiv do të ketë në Këshillin Evropian, në të kundërtën qeveria në Shkup do të jetë e vdekur.

“Nëse këtë të enjte dhe të premte vendimi do të jetë ‘jo’ ose do të ketë një shtyrje tjetër, të mërkurën qeveria jonë do të jetë e vdekur, flas publikisht për këtë”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, raporton TV21 në Maqedoni.

Kjo vdekje, sipas kryeministrit maqedonas, nënkupton humbje të shumicës në Kuvend, e cili ka votuar ndryshimin e emrit të shtetit dhe të kushtetutës me premtimin dhe shpresën se Bashkimi Evropian do të ndajë datë për vendin.

Problemi tani për tani qëndron tek kërkesat e Francës për reforma dhe metodologji të re, por sipas Zaevit, ato mund të bëhen edhe nëse vendeve kandidate u jepet datë.

Nëse nuk ka datë për Maqedoninë, të cilën Zaevi e quan shembull të mirë për zgjidhje kontestesh, atëherë si do të motivohen Kosova dhe Serbia për dialog, ose Bosnja për zgjidhje të probleme të saj, tha Kryeministri maqedonas, duke paralajmëruar se mungesa e një perspektive evropiane do t’i hapte rrugë ndikimeve të padëshiruara në Evropë.

“Në rajon ka një interes të madh nga Kina, Rusia, nga Turqia, që është interes legjitim. Ne vërtetë jemi pjesë e shpirtit evropian, dhe ata përmes kësaj pjese të Ballkanit perëndimor duan të penetrojnë në Evropë, për të qenë më të fuqishëm, për të kontrolluar proceset dhe ata neve nuk na ofrojnë sundim të ligjit ose demokraci”, u shpreh Zaevi.

shkoi deri aty sa përmendi edhe punën e agjenturave të huaja që punojnë kundër rrugës euroatlantike.

“Ka agjentë shtetesh që punojnë kundër integrimit në NATO, disa kundër demokracisë dhe lirive dhe kjo ndodh në vende të vogla dhe të dobëta, prandaj duhet të jemi pjesë e familjes evropiane”, tha Zaevi.

Këto Zaevi i tha në një diskutim të Institutit Rener në Austri, në kryeqytetin e së cilës po qëndron nga dje bashkë me një pjesë të kabinetit të tij, për të vazhduar më pas drejt Brukselit në prag të vendimit përfundimtar për marrjen ose jo të datës për çelje të bisedimeve.

Ndërkaq, Zaevi në fjalimin e parë para udhëheqësve të BE-së në Bruksel, një ditë para vendimit për hapje e negociatave ose jo mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në, u bëri një apel atyre në anglisht: “Mos u bëni pengesë për ne, ju ftoj të bëheni heronjtë tanë, sepse Bashkimi Evropian për ne është e vetmja rrugë dhe nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç kësaj”.

Zaevi e filloi fjalimin në maqedonisht duke thënë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut për herë të dytë brenda vitit janë duke pritur dritën jeshile nga BE-ja për hapjen e negociatave, prandaj ajo duhet të ndodh tani.

“Bashkimi Evropian në qershor shtyhu për disa muaj negociatat me pretekstin e reformave që duhet të përmbushe vendi jonë, por ja tetori erdhi dhe ne presim që ju të çelin negociatat me ne. E dimë që ka shumë akoma për të bërë dhe metodologjinë e re që ju po aplikoni për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, këtë pjesë e dimë edhe ne, por le ti fillojmë tani, dhe më pas të vazhdojmë bisedimet për ato që na kërkoni”, tha Zaevi, raporton Alsat-M.

Ai tha nëse negociatat nuk hapen tani, do të ketë efekte negative jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajon si bisedimet me Kosovës dhe Beogradit.

“Të gjithë në jemi gati, nga unë, Presidenti, Kuvendi edhe opozita, jemi gati të fillojmë negociatat tani. Ne bëmë të pamundurën për Marrëveshjen e Prespës, na besoni se nuk ishte e lehtë. Por ne e bëmë, sepse ishte kushti kryesor për ne për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe ne ia arritëm, treguam se ne mundemi. Nëse nuk i hapni negociatat tani do të ketë efekte shumë negative, jo vetëm në vend po edhe në rajon si në bisedimet me Kosovës dhe Serbisë, por edhe vet Bashkimi Evropian do të humbasë besueshmërinë e tij, prandaj mos na pengoni, bëhuni heronjtë tanë”, apeloi Zaev.

Ai e përfundoj fjalimin e tij duke thënë se rruga jonë e vetme është ajo e reformave dhe në vijim do vazhdojmë t’i nxisim ato. Ne Do të vazhdojmë edhe më fort me reformat, ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.