Arbëri

Beqaj: Fitorja e opozitës, ndryshim i vogël me shpresë të madhe

Analisti politik Belul Beqaj ka thënë se fitorja e opozitës në zgjedhjet e 6 tetorit nuk është ndryshim i madh, por është ndryshim i vogël e me shpresë të madhe.

Sipas tij, shpresa e popullit ka të bëjë në rend të parë me fillimin e funksionimit të sundimit të ligjit.

“S’e di a do të pajtohesha se a është ndryshimi i madh. Ndryshim i vogël, por shpresa është e madhe. Realisht mendoj që ka ndodhur një ndryshim për faktin se po përcillet në perëndim politika e komandantëve dhe po lind me potenciale premtuese politika e të rinjve të cilët megjithatë mendoj se duhet të sjellin disa ndryshime që do të kthejnë shpresën për politikë krejt tjetër karshi asaj që ka qenë, për faktin se edhe premtimet gjatë fushatës, ishin të stërmadhuara, por realisht kishin një bazë e cila në të njëjtën kohë jep shpresë se së paku do të fillojë të funksionojë sundimi i ligjit. Mendoj se ky ndryshim i vogël me shpresë të madhe, para së gjithash ishte reflektim i zhgënjimit me politkëbërësist sesa që ishte meritë e fushatës apo shpresë për ndryshime aq të mëdha. Duhet të jemi realë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, për ndryshimin e madh duhet të mbahen dy apo tri parë zgjedhje.

“Duhen dy-tri parë zgjedhje për ndryshimin e madh. Të jemi të matur se ndoshta pritjet janë të mëdha, por edhe zhgënjimet e mëdha për ata që u kanë dhënë votën këtyre”, ka shtuar ai.

Sipas Beqajt, Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve dhe LDK-ja që doli e dyta e që janë afër arritjes së koalicionit paszgjedhor, nuk duhet të nguten për të arritur marrëveshjen. Ai ka thënë se kryesore duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje kualitative.

“Krijimi i qeverisë së re është domosdoshmëri. Por s’ka të bëjë me urgjencën sa për nivelin kualitativ të arritjes së marrëveshjes. S’duhet të bëhet qeveri që qysh nesër të ketë disonanca si qeveria që ishte. Më mirë të bëhet qeveri me personalitete që mbulojnë në kuptimin kompetent dikasteret e caktuara. Që ka balancin e respektimit të marrëveshjeve programore. Janë dy parti me programe ideologjikisht të ndryshme. Të gjendet emëruesi i përbashkët për të qenë më efektivë me programe”, ka deklaruar më tej ai.

Beqaj ka komentuar edhe rezultatet e humbësve të këtyre zgjedhjeve. Sipas tij, në këto zgjedhje është treguar ngritje e vetëdijes politike te qytetarët. Për PDK-në ka thënë se tash në opozitë i duhet rishikim kualitativ i vetes dhe të bëjë reforma të menjëhershme.

“Mendoj se është moment i jashtëzakonshëm që kjo parti të vazhdojë thellimin e reformave. Veseli ka përgjegjësi për këtë gjendje që është krijuar. Në fillim ishte hije e dobët e Hashim Thaçit e në fund bëri veprim që la të duket si hije e dobët e Hashim Thaçit e kjo bëri që të shndërrohet në parti opozitare e s’është fundi i botës. Tash duhet të bëhet një rishikim kualitativ në kuadër të organizimit dhe reformat të brendshme që për dikë mund të jenë gjithsesi të dhimbshme, por do të ketë të rinj që gjejnë veten. Duhet analizë e thuktë pse kanë ardhur në opozitë e s’ka vështirësi për t’i gjetur arsyet. Është lehtë të bëhet reforma”, ka thënë ai për PDK-në.

Për AAK-në, sipas Beqajt, ajo mori rezultatin për shkak të politikës së keqe në qeverisjen e fundit.

“Këto zgjedhje së paku kanë treguar diçka brenda 20 vjetëve. Është ngritje e vetëdijes politike. Votuesit edhe kanë zgjedhur jo veç votuar. Ndëshkuan politikën e keqe. Kjo është testi i parë se ka nisur vetëdijesimi politik. sikur të mos ndëshkohej kjo do të vazhdonte në pakufi shkelja. Mendoj se Haradinaj ka ardhur si aventurier në politikë dhe do të përfundojë ashtu”, ka shtuar ai.

Debakël e ka quajtur rezultatin e koalicionit Nisma-AKR-PD dhe të PSD-së. Koalicioni i udhëhequr nga Fatmir Limaj është ende nën prag, ndërsa PSD që ishte pjesë e koalicionit me AAK-në, ka dhënë shenja se s’do të jetë në Kuvend.

“Te Nisma-AKR-PD ka debakël edhe për kuptimin e aspektit strategjik, por edhe për etikë e moral. Kosova është megjithatë treg politik i vogël. Në kuadër të këtij tregu të vogël, burimi i vogël i vlerave socialdemokrate mbetet te VV-ja. Ishte dikur Partia Socialdemokrate, por pas krijimit të LDK-së ajo s’u formua në atë masë për të qenë e përfillshme. As tash s’u forcua. Vlerat autentike kanë mbetur te VV-ja. Te Nisma s’kanë harruar qytetarët që Limaj ishte 15 vjet pjesë e PDK-së. Mes përcaktimit që t’i besojnë dikujt me vlera autentike apo dikujt që ka menduar se po gjen strehë të përkohshme, qytetarët janë përcaktuar dhe kjo s’është keq. Ata duhet të bëjnë rishikim te vetja, e transformimet e shpejta s’duhet gjykuar. Por më duket se përshtypja te qytetarët ishte se kjo u bë vetëm për të fituar politikisht. Debakël politik e moral”, ka shtuar ai.