Vonesat në planin e investimeve kapitale shkaku i zgjedhjeve të parakohshme dhe kostoja më e lartë sesa që është parashikuar e Ligjit të ri për paga në sektorin publik, rrezikojnë rritjen ekonomike prej 4.2 për qind të parashikuar nga Banka Botërore për vitin 2020-2021. Ndërkohë, deri në fund të këtij viti rritja ekonomike pritet të afrohet në 4 për qind, nga 3.8 për qind në 2018.
Në raportin “Pasiguria në rritje” për Ballkanin Perëndimor, të prezantuar të martën nga Banka Botërore, thuhet se konsumi privat pritet të shtojë 2.9 pikë përqindje në rritjen ekonomike, falë shkallës më të lartë të huadhënies për konsum, remitenca dhe pagave në sektorin publik dhe konsumi publik pritet të shtojë edhe 1.6 për qind.
Sa u përket pagave, sipas BB-së, pagat më të larta në sektorin publik mund të bëjnë presion mbi pagat në sektorin privat, gjë e cila mund të minojë konkurrueshmërinë e eksportuesve kosovarë. Rreziqe fiskale, sipas BB-së, mund të lindin nga shpenzimet për kategoritë sociale, shpenzimet joproduktive të kapitalit dhe performanca potencialisht më e ulët e ndërmarrjeve në pronësi publike.
Kontributi i investimeve në rritjen ekonomike parashihet të jetë vetëm 1.1 pikë përqindje, sepse miratimi i vonshëm i Ligjit të buxhetit çoi në vonesën e ekzekutimit të planeve të investimeve publike.
“Zgjedhjet e vitit 2019 mund të vonojnë më tej ekzekutimin e buxhetit të kapitalit. Pavarësisht rritjes së fortë të eksporteve të shërbimeve, eksportet neto pritet të zbresin 1.4 për qind nga rritja ekonomike”, thuhet në raport.
Shqetësuese vazhdon të jetë shkalla e lartë e papunësisë dhe shkalla e ulët e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore në tregun e punës. Edhe pse të dhënat tregojnë se kishte rënie të papunësisë në tremujorin e dytë të 2019-s, për shkak të punësimit më të lartë, por edhe të pjesëmarrjes më të ulët në fuqinë punëtore, Kosova vazhdon të ketë shkallën më të lartë të papunësisë në Kosovë.
Raporti thekson se inflacioni i çmimeve të konsumit u përshpejtua në fillim të vitit, por u zbut duke arritur në 2.7 për qind në gusht. Shkaku kryesor, sipas BB-së, ishte rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë, pasuar nga rritja e çmimeve të pijeve alkoolike dhe duhanit.
“Rritja e çmimeve të importit ndihmoi për të nxitur inflacionin e çmimeve të konsumit me rritje mesatare prej 4.5 për qind në tremujorin e parë. Tarifat e vendosura për importet e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina mund të kenë kontribuuar në rritjen e inflacionit të çmimeve të konsumit”, thuhet në raport.
Gjatë prezantimit të raportit, pjesën që ka të bëjë me Kosovën, drejtori i Bankës Botërore në Prishtinë, Marco Mantovanelli, ka thënë se deficiti i përgjithshëm buxhetor pritet të mbetet pak nën 3 për qind dhe brenda kufirit të rregullës fiskale, që përjashton shpenzimet kapitale të financuara nga të ardhurat privatizimit dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Ai ka thënë se ka performancë më të ulët në të hyra, krahasuar me planin dhe se kjo do të mbikompensohet me nën-ekzekutim të konsiderueshëm të projekteve kapitale.
Sipas raportit të BB-së, shpenzimet për mbrojtje sociale vazhdojnë të jenë të larta dhe të kufizojnë hapësirën fiskale. Kjo pasi, siç thuhet, pagesat për veteranët e luftës ka ngjarë të jetë më e lartë sesa ishte planifikuar, sepse ndryshimet në ligj për të mbajtur koston nën kontroll nuk u zbatuan.
“Në Kosovë mesazhi është që ka progres, por jo mjaftueshëm kur e shohim faktin që 60 për qind e popullsisë së të rinjve në Kosovë (moshë pune) nuk janë aktivë në tregun e punës. Pra, nuk punojnë ose nuk kërkojnë vende të punës. Kështu që shumë më shumë duhet krijuar rritje ekonomike që gjeneron më shumë vende pune”, ka thënë Mantovanelli.
Ekonomistja nga Banka Botërore, Aslı Şenkal, ka thënë se pjesëmarrja në fuqinë punëtore vazhdon të jetë e lartë, me gjithë shkallën e lartë kronike të papunësisë.
“Në tremujorin dytë të 2019-s shkalla e punësimit u ngrit ngase u krijuan më shumë vende pune në Kosovë, mirëpo shkalla e papunësisë edhe më tutje mbetet më e larta në rajon, me gjithë zhvillimet kohëve të fundit pozitive në tremujorin e dytë 2019”, ka thënë Senkal.
BB-ja ka kërkuar zbatim të reformave në mënyrë që të materializohet rritja e parashikuar. Aty në raport përmenden edhe rreziqet e jashtme dhe vendore. Rrezik i jashtëm është pasiguria globale, rritja ekonomike më e ulët se projeksionet në BE, si dhe çmimet globale të metaleve bazë më të larta se projeksionet.
Ndërsa, rreziqe të brendshme janë kostoja e Ligjit për paga dhe punësimi i lartë në institucionet publike, rritja e shpenzimeve për skemat sociale dhe absorbimi i ulët i programit të investimeve kapitale.
Sa u përket investimeve të huaja direkte, sipas raportit, vazhdojnë të shkojnë në patundshmëri, të cilat nuk kontribuojnë në PBB përtej periudhës së ndërtimit, ndërsa destinacioni i dytë i IHD-së ishte ndërtimi. Prejardhja e investimeve të huaja direkte janë kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe ShBA-ja.
Gjatë këtij viti kishte edhe rritje të remitencave prej 8.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Për vitin 2020, sipas BB-së, pritet që rritja të jetë më e lartë për shkak të shpenzimeve më të mëdha kapitale dhe nga konsumi.
“Disa projekte të mëdha të investimeve publike pritet të përparojnë, veçanërisht projektet hekurudhore dhe rrugore, rajonale të financuara nga institucionet financiare ndërkombëtare. Në 2020 pagat më të larta publike, remitencat dhe huadhënia për konsum pritet të mbështesin konsumin më të lartë”, thuhet në raport. Megjithatë, investimet private, sipas BB-së, pritet të rriten të nxitura nga kushtet e favorshme të huadhënies dhe nga investimet e huaja direkte në energji dhe patundshmëri.
“Duke pasur parasysh numrin e madh të pjesëmarrësve të rinj të hyjnë në tregun e punës, vetëm shpenzimet më të larta publike nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur ndjeshëm shkallën e lartë kronike të papunësisë”, thuhet në raport.
Për t’i ikur rrezikut për ulje të rritjes ekonomike, sipas BB-së, duhet reformat të drejtohen drejt përmirësimit të cilësisë së shpenzimeve fiskale dhe stabilitetit, shenjëstrimit më të mirë të programeve të mbrojtjes sociale dhe investimet e shtuara në arsim e shëndetësi.
Edhe angazhimi dhe punësimi i të rinjve dhe grave duke zvogëluar dekurajimet për pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës, ngritja e produktivitetit duke adresuar barrën rregullatore mbi biznese dhe duke përmirësuar sistemin gjyqësor, adresimi i korrupsionit dhe forcimi i qëndrueshmërisë mjedisore janë reformat e tjera që duhet të ndërmerren sipas BB-së.
-
Nga: Sanie Jusufi
-
9 tetor 2019 08:45
-
Shpërndaje në: