“Siguroni pronën nga tërmeti”. Me këtë titull është sponsorizuar së fundi në media një artikull i njërës nga kompanitë e sigurimit në Kosovë. Aty ftohen qytetarët për të siguruar shtëpitë e tyre, për t`u pajisur me të ashtuquajturën “policë sigurimi nga tërmeti”.
Sponsorizimi ka ndodhur disa ditë pas tërmetit që ndodhi në Shqipëri, i cili shkaktoi dëme materiale, por edhe lëndoi dhjetëra persona. Kjo ngjarje duket se i ka “aktivizuar” kompanitë për të përfituar nga qytetarët, shkruan sot Koha Ditore.
Tronditjet që pasuan dhe ngritën debat pas tërmetit në Shqipëri, nuk kanë kaluar pa u “ndier” edhe në Kosovë.
Është shtruar pyetja nëse Kosova ka kapacitete për të përballuar një tërmet të ngjashëm ose më të madh se ai në Shqipëri. Nëse ndërtimet që po bëhen apo janë bërë i përmbushin parametrat e kërkuar për t`i bërë ballë një fatkeqësie të ngjashme.
Në parim, sipas zyrtarëve nga Divizioni Sizmologjik në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Kosova nuk është e predispozuar ndaj tërmeteve katastrofale. Megjithatë, ata thonë se Kosova zë vend në zonën me aktivitet sizmik relativisht të lartë.
Nga të dhënat që i posedon ky divizion, prej kur është themeluar në vitin 2008, në territorin kosovar gjatë shekullit të kaluar e deri tash kanë ndodhur 158 tërmete me magnituda 3.8 deri 6.1 shkallë të Rihterit.
Drejtori i këtij divizioni, Shemsi Mustafa thotë për “Kohën Ditore” se prej numrit të përgjithshëm të tërmeteve, 93 kanë qenë me intensitet 5 ballë e me magnituda 3.8-4.4 shkallë të Rihterit; 39 tërmete kanë qenë me intensitet 6 ballë, magnituda 4.5-4.6; 13 tërmete me intensitet 7 ballë, me magnituda 50.4-5.5 shkallë të Rihterit; 10 tërmete me intensitet 8 ballë, me magnituda 5.5-5.8 shkallë të Rihterit, si dhe 3 tërmete me intensitet 9 ballë, magnituda 6.0.
Ai fillimisht ka sqaruar dallimin mes “ballit” dhe “magnitudës-shkallës së Rihterit”.
“Me ballë nënkuptojmë intensitetin e tërmetit. Pra, se sa është ndier mbi sipërfaqe dhe se sa ka qenë dëmi i tij, kurse me magnitudë –shkallë të Rihterit nënkuptojmë regjistrimin e energjisë së liruar nga thellësia e tokës. Sipas standardeve evropiane, njihen 12 shkallë të ballit, si dhe 9 shkallë të Rihterit”, ka theksuar Mustafa....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)