Arbëri

Prokruoria nis hetimet për vëllanë e kryetarit të Vushtrrisë që vjen nga LDK-ja, Tahiri distancohet

Ndërmjet qebapëve e jogurtit, Salih Tahiri, vëllai i kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, po dyshohet të jetë përfshirë në afera korruptive.

Portali Indeksonline ka publikuar një video-material 12-minutësh, ku supozohet se diskutohet e merret ryshfet në këmbim të lejeve për ndërtim, derisa identiteti i bashkëbiseduesit të Salih Tahirit, nuk bëhet i ditur.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka qenë në zyrën e tij por nuk ka dashur të flasë për videon e publikuar gjatë së enjtes. Zyrtarë nga kabineti i tij, kanë rekomanduar që t’i referohemi një postimi që kryetari Xhaferi e ka bërë në llogarinë e tij në Facebook, ku ai akuzon Partinë Demokratike të Kosovës për shantazh, raporton KTV.

“Kjo është edhe një fushatë e ulët e kësaj partie për të më kushtëzuar të kaloj në anën e tyre. Kam refuzuar dhe do të refuzoj t'i nënshtrohem krimit dhe shantazhit. Asgjë e prezantuar në këtë video nuk është me dijen time e as me pjesëmarrjen time,” ka shkruar mes tjerash Tahiri.

Tutje, Tahiri ka shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, të cilave u ka bërë thirrje t’i nisin hetimet.

E, pikërisht këtë gjë e ka bërë Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Në një njoftim të dërguar për media, bëhet e ditur se kryeprokurori Shyqyri Syla ka urdhëruar hetimin për videot, ku shihet Salih Tahiri, vëllai i kryetarit Tahiri.

Në fillim të mandatit të tij si kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri e kishte angazhuar vëllanë e tij, Salih Tahiri, si shofer personal.