Seul, 27 shtator - Delegacioni i Agjencisë Kadastrale të Kosovës ka përfunduar vizitën pesëditore në Seul, Republika e Koresë.
Delegacioni i kësaj agjencie, që udhëhiqej nga kryeshefi i ekzekutiv z. Avni Ahmeti, mori pjesë në konferencën ndërkombëtarë kushtuar krijimit të politikave dhe ambienteve të gjelbra si pjesë e administrimit të tokës, “Korea Green Inovation Days” (Ditët e inovacionit të gjelbër në Kore).
Në kuadër të aktiviteteve, përveç atyre të ndërlidhura me konferencën, ekspertët e AKK-së kishin mundësi të mbajnë takime me prijës të institucioneve të interesit nga fusha e kadastrës, administrimit të tokës, infrastrukturës së të dhënave hapësinore, e-qeverisjes e ngjashëm, thuhet në njoftimin për media. Ndër takimet më të rëndësishme ishin ato me institucionin homolog në fushën e kadastrës, Agjencia për mirëmbajtjen e regjistrave pronësorë dhe për kadastër (LX), me Agjencinë Shtetërore për Informacione Hapësinore, Agjencinë Shtetërore për e-Qeverisje si dhe Agjencinë Shtetërore për Banim dhe Tokë.
Të gjitha këto takime, pos për prezantime të përgjithshme të aktiviteteve të ndërsjella, u shfrytëzuan edhe për vendosjen e bazave për një bashkëpunim konkret në të ardhmen, përfitimet nga i cili bashkëpunim nuk do të ishin vetëm të përveçme për AKK-në, por të përgjithshme për shumicën e institucioneve në fushëveprimin e të cilëve bie mbrojtja e ambientit dhe krijimi i politikave të gjelbra.
Ahmeti kishte edhe një takim të rëndësishëm me udhëheqës të lartë të Bankës Botërore, respektivisht me z. Jorge Munoz, udhëheqës i Njësisë së Bankës Botërore për Administrim të Tokës dhe Infrastrukturë të të Dhënave Hapësinore, me të cilin diskutuan rreth bashkëpunimit intensiv e disavjeçar mes Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Bankës Botërore.
Munoz u zotua se përkrahja do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa u shpreh i kënaqur nga rezultatet e arritura nga përkrahja e deritanishme e Bankës Botërore.
Si pjesë kryesore e aktiviteteve, respektivisht pjesëmarrja në konferencën për politika të gjelbra, e mbajtur me datat 26 dhe 27 shtator, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës ,z. Avni Ahmeti, ishte panelist në sesionin kushtuar transformimit të shteteve në zhvillim dhe orientimi i tyre nga përkrahja e politikave të gjelbra. Në fjalën e tij, z. Ahmeti përmendi reformat e planifikuara në kadastër, respektivisht krijimin e Ligjit të ri për Kadastër, draftimin e Ligjit për IKIH (infrastrukturës kombëtare e të dhënave hapësinore), amandamentimin e 12 udhëzimeve administrative në fushën e kadastrës, regjistrimit të të drejtave pronësore, e ngjashëm si dhe u zotua që në planifikimet e ardhshme, projekteve që mund të kenë efekt në ambient, t'u kushtohet rëndësi më e veçantë. Po ashtu, ofroi kanalet për komunikim që ka zhvilluar AKK, si Gjeoportali shtetërorë, të shfrytëzohen për promovimin e politikave, produkteve dhe shërbimeve në mbrojtje të ambientit.
konferencën e organizuara nga Banka Botërore, morën pjesë përfaqësues nga dhjetëra institucione nga e tërë bota me mbi 200 pjesëmarrës.