Qytetarët nga Kosova e vizitojnë Shqipërinë, kryesisht gjatë periudhës së verës, apo siç quhet ndryshe për turizmin e rërës dhe diellit.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur shtetasit nga Kosova shfaqën pakënaqësitë e tyre në Shqipëri, këtë vit ata janë kthyer sërish, shkruan sot “Koha Ditore”. Rreth 1.838.772 persona, ka qenë numri i qytetarëve nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë për 8-mujorin e këtij viti, ndërkohë që numri total i shtetasve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë gjatë këtij 8-mujori ka qenë 4.870.558 persona, 11% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kështu që Kosova zë 37.8% të numrit të përgjithshëm të shtetasve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë në janar-gusht 2019. Por rreth 78.5% e numrit të qytetarëve nga Kosova e kanë vizituar Shqipërinë në tre muajt e verës (qershor, korrik, gusht) për turizmin e rërës e diellit, ose për plazh. Nga 1.838.772 persona nga Kosova që kanë hyrë në Shqipëri për janar-gusht 2019, rreth 1.443.673 persona kanë vizituar Shqipërinë në periudhën qershor, korrik e gusht.
Ndërkohë që 85.2% e këtij numri e kanë vizituar Shqipërinë në muajt e pikut të sezonit, pikërisht në korrik e gusht, duke u bërë përcaktues në rritjen e turizmit hyrës gjatë këtyre dy muajve në Shqipëri.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)