Thaçi takohet me Daçiqin e Mogherinin në Nju Jork Foto: Këshilli i Evropës

Thaçi flet shkurtimisht për takimin e mbrëmshëm me Mogherinin e liderët tjerë të rajonit

23 September 2019 11:23
15:23

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur rreth takimit të mbrëmshëm me Federica Mogherinin dhe me disa liderë të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Thaçi, përmes një postimi në facebook, ka thënë se në këtë takim është rikonfirmuar përkushtimi i shteteve të rajonit për paqe dhe stabilitet.

“Mbrëmë mora pjesë në darkën e shtruar nga Përfaqësuesja BE-së, Federica Mogherini, së bashku me liderë të vendeve të tjera të rajon. Në këtë takim u rikonfirmua edhe një herë përkushtimi i shteteve të rajonit për paqe dhe stabilitet, për zhvillimin e integrim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Thaçi.

12:04

BE: Të gjithë liderët e Ballkanit mbështesin vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian në njoftimin për media pas takimit, ka thënë se për shkak të perspektivës së qartë që Ballkani Perëndimor ka për Bashkimin Evropian, Mogherini dhe përfaqësuesit e rajonit kanë rishikuar progresin substancial të arritur dhe kanë shikuar detyrat që i presin.

“Ata shfaqën mbështetjen për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE për Maqedoninë Veriore dhe për Shqipërinë, duke theksuar se ky vendim është qenësor, jo vetëm për dy vendet e përfshira, por për tërë rajonin dhe për BE-në. Të gjithë ata mbështetën vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjen e hershme të një marrëveshje ligjërisht obliguese për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatën e BE-së, raporton Koha.net.

Tutje theksohet se të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmuar përkushtimin e tyre të fuqishëm drejt perspektivës së BE-së, duke potencuar se puna në reforma vazhdon sikurse edhe bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Mogherini dhe liderët e Ballkanit Perëndimor shprehën solidaritet me Shqipërinë pas tërmeteve të fuqishme atje gjatë fundjavës.

11:23

Thaçi takohet me Daçiqin e Mogherinin në Nju Jork

Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, ka organizuar një darkë pune me përfaqësues nga Ballkani Perëndimor në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Në takim ishin prezentë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ai serb, Ivica Daçiq, pastaj ministri i Jashtëm i Këshillit të Ministrave të BeH-së me mandat teknik, Igor Cërnadak e kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, raporton Koha.net.

Nga Brukseli është njoftuar se BE-ja vazhdon të jetë lider në bashkëpunimin global dhe se në bashkëpunim me partnerët do të vazhdojë të mbështes paqen dhe demokracinë dhe të promovojë të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme