Arbëri

19 vjet KTV - burimi më i besueshëm i informacionit në vend

Pak më shumë se 1 vit pas përfundimit të luftës, Grupi Koha u zgjerua me hapjen e televizionit kombëtar, KTV.

Më 22 shtator të vitit 2000, nisi transmetimet prodhimi i ri që u quajt Kohavision.

Botuesi i Kohës Ditore, Veton Surroi, bashkë me një pjesë të stafit të gazetës dhe shumë entuziastë të rinj, pa ndonjë përvojë pune, nisën televizionin që do të mbështetej kryesisht në shtyllën e informimit.

Ndër të parët, qysh para nisjes së transmetimit, pjesë e stafit u bë kameramani Besim Cakolli.

Fillimi për të ishte një eksperiencë e veçantë.

Programi 24 orësh nis me Lajmet e Mëngjesit, për të vazhduar me emisionit SOT e transmetimet direkte vazhdojnë deri pas mesnate, kur edhe përfundon emisionit Interaktiv.

Mëngjesi nis me shpërndarjen e detyrave për gazetarët e kameramanët e emisioneve të natyrave të ndryshme, që e kryejnë me përgjegjësi të madhe punën e tyre në terren.

Gazetari i deskut informativ Ridvan Hamza, tregon për punën e tij që bën brenda një dite, ndërsa thekson se qëllimi i televizionit është të informojë në mënyrë profesionale.

Lajmet vazhdojnë të mbesin fusha kryesore e fokusimit për KTV-në, me deskun informativ që gjithmonë punon me përkushtim në kërkim të tregimeve të reja dhe për të mbajtur përgjegjës ata që marrin vendime.

Gjatë javës, shikuesit kanë mundësi të shohin debate të nxehta në Rubikon, reportazhe në Cosmo, gjithçka për kryeqytetin në 038, kurse pasditeve të informohen për më të rejat nga kultura dhe showbizi në emisionin Express.

Sporti në KTV mbetet adresa kryesore e informimit për të gjitha ngjarjet sportive në vend.

Në fundjavë, gjithashtu vijnë shumë filma, seriale, dokumentarë, cikle biografike, koncerte e show-programe.

Dhe, teksa i afrohet jubileut të përvjetorit të 20-të, KTV-ja nuk do të ndalet në misionin për të ofruar informimin përtej lajmit për publikun.