Arbëri

Kraki: Çorodia ballkanike, magji e zezë për Mogherinin

Frederica Mogherini asnjëherë nuk e kuptoi ndjeshmërinë e çështjeve ballkanike, aq më pak në Kosovë, ku natyra e problemeve ishte më së paku teknike.

Me gjithë vullnetin e mirë të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politika të Jashtme dhe Siguri, ishte njohuria e cekët e problematikave dhe ngulmimi i saj për mbylljen e ndonjë çështjeje të madhe brenda mandatit ato që do të shfrytëzoheshin prej liderëve në Kosovë dhe Serbi, duke i dhënë hapësirë shpërfaqjes së ideve megalomane dhe utopike.

Këto ide do të shkaktonin paqartësi edhe më të mëdha dhe do të sillnin dështimin dhe bllokimin e procesit. Këtë e thotë Nezit Kraki, i cili çorodinë ballkanike e quan magji të zezë për Mogherinin. Kraki ka doktoruar në Francë dhe është profesor i politikave të BE-së në universitetin “Paris Est”.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ai ka folur për pesë vjetët e Frederica Mogherinit në krye të Politikës së Jashtme të BE-së, me theks të veçantë tek politikat e saj karshi Ballkanit dhe qasjes në raportet Kosovë-Serbi. Përpos kësaj, ka folur edhe për pasuesin e Mogherinit, spanjollin Josep Borell, prej të cilit pritet një qasje kundërshtuese ndaj Kosovës.

“Borellit duhet t’i themi se Kosova është punë e kryer dhe të niset gjithçka nga kjo premisë”, ka thënë ai. Frederica Mogherini e kishte marrë përfaqësimin e Politikës së Jashtme të BE-së në një kohë kur vetë blloku evropian përballej me telashe të mëdha dhe tensione në shumë shtete anëtare.

Krahas kësaj, zgjedhja e Donald Trumpit në krye të SHBA-së do të zbehte rolin e BE-së në shumë pjesë të botës. Marrë parasysh këtë, Kraki e ka quajtur relativisht të suksesshëm përfaqësimin politik të Mogherinit në botë. Ai e ka përmendur rolin aktiv që ka pasur BE-ja në arritjen e marrëveshjes së quajtur bërthamore me Iranin. Kraki ka folur edhe për Brexitin, siç njihet procesi i largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian. Atë e ka quajtur aksidentin më të madh demokratik që i ka ndodhur BE-së që nga krijimi.

KD: Para 2014-s, përfaqësuesja speciale e BE-së për Politikë të Jashtme, Frederica Mogherini, ka qenë relativisht e panjohur përtej kufijve të Italisë. Ishte Matteo Renzi ai që në fillim të 2014-s e emëroi ministre të Jashtme të Italisë. Nëntë muaj më vonë, ajo do të bëhej kryediplomate e Evropës, përgjegjëse për koordinimin e politikës së jashtme midis 28 shteteve anëtare që, siç e kemi parë shpesh, mezi që arrijnë konsensus. Tani, teksa mandati i saj pesëvjeçar është në ditët e fundit, çfarë do të mund të thuhet. A po e lë ajo BE-në më mirë, apo më keq, kur është në pyetje politika e jashtme?

Kraki: Mendoj se Mogherini e ka përfaqësuar relativisht mirë politikën e jashtme evropiane në botë dhe interesat e vendeve anëtare në shumë raste. Me kalimin e viteve, pesha e BE-së është rritur ndjeshëm në skenën botërore të politikëbërjës dhe vendimmarrjes. Kur u nënshkrua marrëveshja e quajtur bërthamore me Iranin, BE-ja ishte palë e barabartë me fuqitë e tjera rreth tavolinës dhe Mogherini ishte shumë aktive në këtë çështje....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)