Në Kushtetuese dorëzohen dosje të tjera për kompensim të dëmeve të luftës

Në Kushtetuese dorëzohen dosje të tjera për kompensim të dëmeve të luftës

20 September 2019 12:31

Shoqata për Dëme të Luftës “Ngritja e zërit“, për herë të gjashtë ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dosjet e radhës për kompensimin e dëmeve të luftës, respektivisht kërkesat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Drejtori i Shoqatës për Dëme të Luftës “Ngritja e zërit”, Jahir Bejta ka deklaruar se sot kanë dorëzuar kontingjentin e radhës së dosjeve me qëllim që Kushtetuesja ta korrigjoj lëshimin që e ka bërë Gjykata Supreme, e cila nuk e ka njohur procedurën e revizionit.

“E kemi shpresën që Gjykata Kushtetuese në cilësinë e gardianit tani ta korrigjoj lëshimin që e ka bërë Gjykata Supreme....Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është negativ, i Supremes negativ, nuk e lejojnë procedurën e revizionit. Ne kemi kërkuar procedurën e revizionit me iu hy lëndëve dhe me e shqyrtua ligjshmërinë e nxjerrjes së tyre dhe me konstatua se a janë në përputhshmëri me apo jo...Në të gjitha deri tani (përgjigjet janë ) negative edhe kjo nuk do thotë që i refuzojnë, por e kanë një shprehje 'papranueshmëri' ", u shpreh Bejta.

Derisa ka deklaruar se kërkesa për kompensim bëhet për shtetin e Serbisë, Bejta tha se deri tani rreth 1200 dosje janë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, ku vlera e dëmit njerëzor dhe material shkon deri në 4 milionë euro.

Udhëheqësi i “Ngritja e zërit” ka apeluar tek të gjitha subjektet politike që të merren seriozisht me trajtimin e kësaj çështje.

Bejta po ashtu e shprehu nevojën që të ketë zyre të shoqatës “Ngritja e zërit” në çdo komunë, pasi që edhe kjo po shkakton telashe për familjet që kërkojnë dëmshpërblim .

Kujtojmë që Shoqata për dëmet e luftës “Ngritja e zërit” edhe më herët ka dorëzuar dosje në Gjykatën Kushtetuese, përmes të cilave ka kërkuar kompensimin e dëmeve të luftës/KsP.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme