Arbëri

Këtë vit në Shqipëri 200 mijë nxënës më pak krahasuar me fillimin e tranzicionit

Descriptive Text

Tkurrja e popullsisë po ndikon drejtpërsëdrejti në sektorin e arsimit në vend, pasi çdo vit shkollat janë duke u përballur me sfidën e uljes së numrit të nxënësve dhe për rrjedhojë, edhe mbylljen e shumë klasave.

Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, në arsimin 9-vjeçar pritet të vijojnë studimet këtë vit të ri shkollor 306 mijë nxënës. Numri i fëmijëve në këtë cikël është 13 mijë më pak se në vitin shkollor 2018-2019. Ndërsa në krahasim me fillimin e tranzicionit (vitin ’92) janë rreth 200 mijë nxënës më pak.

Në raport me vitin 2011, kur u bë censusi i fundit, në bankat e shkollës do të ulen 114 mijë nxënës më pak. Në harkun e 8 viteve, numri i nxënësve në ciklin 9-vjeçar është reduktuar me 27%.

Ritmet e rënies pritet të jenë të larta edhe në periudhën në vijim. Ministria e Arsimit pret që në vitin 2022, numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar të arrijë në 273 mijë nxënës ose 9.7% më pak se në vitin 2019.

Përveç rënies natyrore të popullsisë, arsimi shqiptar po vuan nga braktisja e shkollës për arsye emigrimi. Mijëra të rinj nën moshën 18 vjeç, një kontingjent për arsimin e mesëm dhe fillor zgjedhin emigrimin, në të shumtën e rasteve me familjet e tyre.

Prej 2010-s, nga vendi janë larguar mesatarisht 15,000 të mitur drejt Bashkimit Europian çdo vit, sipas të dhënave të Eurostat për lejet e qëndrimit për herë të parë të dhëna nga vendet e Bashkimit Europian, të ndara sipas grupmoshës, të përpunuara nga “Monitor”.

Viti 2018 shënoi sërish rritje në numrin e të miturve që ishin pajisur me leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Gjatë vitit që lamë pas u pajisën me leje qëndrimi për herë të parë, rreth 17,279 të mitur nën 19 vjeç, me një rritje prej 6% në krahasim me një vit më parë. Shifrat janë më të larta se kaq, duke marrë parasysh që Eurostat nuk ka të publikuara të dhënat për lejet e para të qëndrimit të lëshuara nga Gjermania.

Emigracioni shihet të jetë një ndër shkaktarët kryesorë të rënies së numrit të nxënësve në shkolla.