Arbëri

Në Kuvendin e shpërndarë, Veseli pret qytetarët për Ditën e Demokracisë

Descriptive Text

Ndonëse Kuvendi i Kosovës tashmë është shpërndarë e Kadri Veseli s’është më kryeparlamentar, kjo s’e penguar këtë institucion të hapë dyert për qytetarët dhe që Veseli t’i presë ata për nder të Ditës së Demokracisë.

Sipas një njoftimi nga Kuvendi, të hënën, 16 shtator, do të hapen dyert për qytetarët e Kosovës për të shënuar këtë ditë për herë të 11-të rresht.

Organizimi për Ditën e Demokracisë do të bëhet nën moton “Pjesëmarrja”, ka njoftuar Drejtoria për Media e Kuvendit. 

Duke filluar në orën 9:30, qytetarë, studentë dhe nxënës do të mund të vizitojnë ndërtesën e legjislativit të vendit dhe të njihen me punën e deputetëve. Dyert do të hapen në orën 9:30, ndërsa sipas njoftimit, aktivitetet do të zgjasin deri në orën 15.

Në agjendë thuhet se mysafirët do të priten në hollin e Kuvendit nga Kadri Veseli. Do të bëhet prezantimi i uebfaqes së re të Kuvendit, do të ketë ekspozitë me temën “Pjesëmarrja”, do të bëhet hapja e panairit të organizatave të shoqërisë civile, do të ketë kuiz të demokracisë e debat publik për “Transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare në Kuvend”.