Arbëri

Fahrije Hoti s’do ndihmë përkundër zjarrit që kaploi “Krushën”, e preokupon fati i të pagjeturve

Javën e kaluar një incident ka ndërprerë punën e grave të Kooperativës Bujqësore “Krusha”. Një pjesë e fabrikës së tyre ishte kapluar nga zjarri. Përkundër kësaj, vullneti i tyre ishte i madh për të vazhduar prodhimin e produkteve të tyre, sa nuk pranuan as ndihma nga shumë qytetarë të Kosovës.

Për të diskutuar për këtë, punën e kooperativës, prodhimtarinë, sfidat, përkrahjen e institucioneve karshi tyre, viktimat e Krushës dhe të pagjeturit, e ftuar për këtë javë në intervistën 45/45 në KosovaPress, ishte drejtoresha e Kooperativës bujqësore “Krusha”, Fahrije Hoti.

Hoti tregon në detaje incidentin dhe mënyrën si e ka kapluar zjarri fabrikën e tyre, teksa thotë se dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.

“Gjatë kohës së zierjes së ajvarit ka dal një aksident, ka marrë kallje fabrika. Kur e kanë pa punëtorët veç tym e flakë, por fatbardhësisht momentet kur e kanë pa tymin qytetarët e Krushës e kanë fikur për pak orë. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha. Jemi në fluksin e prodhimit, në pjesën e përpunimit të ajvarit dhe pak me vështirësi e kemi marrë vetën. Motivi i grave ka qenë aq i fort sa pas shuarjes së zjarrit kanë filluar me punë. Jashtëzakonisht shumë na ka penguar, tash sa kemi qenë në atë fazën e përpunimit të ajvarit dhe na ka stagnuar. Ka qenë pak ma e keqe që konsumatorët që vijnë vite me radhë kanë pas mungesë të ajvarit dhe s’kemi pas mundësi me u furnizuar me ajvar”,thotë ajo.

Duke folur për refuzimin e ndihmave që iu kishin ofruar për të rindërtuar njërën pjesë të fabrikës, Hoti thotë se ndihma ma e madhe që ka marrë është shpëtimi i punëtoreve që ishin duke punuar në atë kohë.

“Në moment prej stresit dhe prej asaj kur e pash që gratë kanë shpëtuar dhe vetëm objekti është dëmtuar, kam thanë nuk dua ndihmë. Kam marrë vendimin që nuk dua ndihmë, pasi ndihma ma e madhe prej Zotit ka qenë që më kanë shpëtuar punëtoret. Po mandej të nesërmen e kam pa që edhe një pjesë e fabrikës që është djegur e ka pas vlerën e madhe. Boll qytetarët e Kosovës e kanë ndihmuar kooperativën, kanë ble produktet tona, kanë konsumuar dhe unë jam falënderues. Sa i përket dëmit që ka ndodhur ajo është më shumë obligim i Qeverisë së Kosovës se sa i qytetarëve”, thotë ajo.

Hoti foli edhe për punën e Kooperativës, stafin, eksportin e produkteve të tyre në vende të ndryshme evropiane dhe ndihmën e institucioneve karshi tyre.

“Shtetet jashtë Kosovës që merren me eksport e kemi kryesisht Zvicrën, Gjermaninë, këtë vit kemi marrëveshje me Austrinë, Suedinë, Italinë por jemi në bisedime edhe me SHBA-në. Gratë e Krushës nuk janë kanë veç gra, por kanë qenë edhe burra që janë munduar prej hiçit me bërë diçka me mbajt familjen me mbijetu. Me kalu dhimbjen, vuajtjen. Unë shumë herë e kam thanë që kjo Kooperativë është themeluar me lot dhe gjak. Këtë vit kemi aplikuar në Ministrinë e Bujqësisë shpresoj që do të na përkrahin, kemi bërë zgjidhje edhe të objektit, por të ardhmen besoj që nuk do të na refuzojnë, besoj që do të na ndihmojë Ministria edhe pse s’kemi aplikuar prej vitit 2005, kemi aplikuar në vitin në vitin 2008-2010 kemi marrë nga një mikrogram të vogël, shpresoj që ardhmen të na dalin në ndihmë pak më tepër”, deklaron drejtoresha Hoti.

Përveç punës së tyre, Hoti shprehu dhimbjen që kanë për personat e pagjetur në Krushë dhe neglizhencës e shtetit në këtë drejtim.

“Në Krushë janë mbi 200 njerëz të vrarë dhe 64 të pagjetur. Jemi mbi 140 gra të veja të moshës së ndryshme dhe një numër i madh i fëmijëve pa prind. Ajo që më shumë na preokupon në këtë kohë është fati i personave të pagjetur. Veç kanë kaluar njëzet vite, neve familjarëve me plotë kuptim them që asgjë s’është bërë për ta, as për familjet e personave të pagjetur, asgjë s’kanë bërë. Janë 20 vite që neve familjarëve na mungojnë personat e pagjetur, ndoshta nuk janë të prekur indirekt. Ne flemë dhe qohemi që të marrim një lajm pavarësisht, ose një adresë që familjarët të kenë dijeni për varrin ose një informacion të saktë ku është varri i familjarit të vet”, thotë Hoti.

Sipas saj nuk është bërë trysni ndaj Beogradit.

“Unë e vlerësoj që njëzet vjet lufta nuk është bërë trysni ndaj Beogradit për gjetjen e personave të pagjetur. Me plot kuptimin e fjalës them që asgjë nuk është bërë. Unë kisha kërkuar nga institucionet e Kosovës që mos të shkojnë vet të përfaqësojnë personat e pagjetur në dialog me Serbinë, por të marrin familjarin me veti se ku janë personat e pagjetur, të kërkohet kërkim falja dhe të kthehet dëmi që është bërë”, thotë Hoti.