Deklarata e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, në Komisionin Parlamentar që po merret me hetimin e tij se ai si kryetar shteti ishte informuar nga institucione të sigurisë kombëtare mbi një plan për djegien e Kuvendit të Shqipërisë më 8 qershor, ka qenë shokuese dhe ka hapur një debat, duke u bërë temë e ditës e mediave në Shqipëri.
Gazetari investigativ Artan Hoxha, i njohur tashmë për deklaratat e tij bombastike që kanë të bëjnë me krimin dhe policinë, duke iu referuar burimeve policore, ka bërë të ditur në media, të enjten pasdite se një grup me rrezikshmëri të lartë kriminale, i përbërë prej 10-14 personash, shtetas të Republikës së Kosovës, ishin të gatshëm të ndërmerrnin veprime të dhunshme në Shqipëri, por, sipas Hoxhës, ata nuk u përfshinë, por as nuk u ndaluan, apo u identifikuan nga ana e policisë, shkruan sot Koha Ditore.
“Policia e Shtetit ka pasur informacione për persona të infiltruar nga jashtë territorit të Shqipërisë, të cilët çuditërisht vinin 48 orë përpara protestave të opozitës, gjendeshin në territorin e Shqipërisë gjatë protestave, dhe këta u bënë të rrezikshëm kur protestat po zhvilloheshin natën. Nuk ishin shtetas të Shqipërisë, por me kombësi shqiptare, ishin shtetas të Republikës së Kosovës. Ata ishin një kontingjent i rrezikshëm. Bëhet fjalë për 10 deri në 14 persona që vinin nga një zonë që ishte në kufi me Shqipërinë dhe informacioni ka qenë që ata mund të bëheshin aktivë në një prej këtyre protestave. Për fat të mirë, ata nuk u përfshinë, por as nuk u ndaluan, megjithëse pati përpjekje për t’i ndaluar, së pari për t’i identifikuar, dhe së dyti për t’i ndaluar që të parandalohej një ngjarje e rëndë. Po të kihet parasysh që protestat zhvilloheshin natën dhe sidomos te Parlamenti, ku ndriçimi ishte i dobët, ishte shumë e vështirë që të identifikoheshin këta shtetas që vinin nga Republika e Kosovës”, sqaroi gazetari Artan Hoxha. Megjithatë, sipas Hoxhës, për më shumë sesa një rrezik real në 8 qershor, Meta e ka përdorur situatën si një justifikim për veprim politik.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka zbuluar të hënën, në Komisionin Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij, një informacion sekret dhe të klasifikuar, që mori një ditë para se të shfuqizonte 30 qershorin si datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në vend. Ai ka thënë se nga burime tërësisht të besueshme është njoftuar se persona të caktuar do ta digjnin Kuvendin e Shqipërisë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)