Sipas Haradinajt, as Amerika e as Bolton nuk ishin pro ndarjes së Kosovës

Sipas Haradinajt, as Amerika e as Bolton nuk ishin pro ndarjes së Kosovës

11 September 2019 11:34

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj nuk ka dashur t’i komentojë deklarimet e zëvendëskryeministrit në detyrë të Kosovës, Enver Hoxhaj, për tërheqjen e 10 njohjeve ndaj shtetit të Kosovës, pasi që i konsideron si deklarime për përfitime të votave.

Duke folur për propagandën e Serbisë kundrejt Kosovës për çnjohjen nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, Haradinaj tha se në planin e brendshëm Kosova nuk kërkon amin nga Serbia.

“Tash jemi në zgjedhje dhe nuk mund ta komentoj çdo deklaratë të atyre që shkojnë me kërkua vota. Por si shteti ekzistojnë dy bota, bota e Serbisë e aleatëve të saj, që punojnë kundër nesh, dhe bota jonë, ne dhe aleatët tanë, që e prapësojmë Serbinë; në planin e brendshëm e kemi prapsuar dhe nuk varemi nga Serbia, nuk na vyen amini i Serbisë për asnjë çështje të brendshme të Kosovës. Këtë e kemi kryer, e kemi larguar edhe ndarjen dhe çdo aspekt të tillë; në planin e jashtëm jemi këtu për të vazhduar”, tha Haradinaj.

Gjatë kësaj konference Haradinaj ka folur edhe për shkarkimin e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-ve , John Bolton nga presidenti Trump, i cili ka qenë i njohur si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës.

Por sipas Haradinajt, Amerika e mbron Kosovën dhe as Bolton nuk është kundër Kosovës, por që sugjerimet e shkuara drejt Uashingtonit zyrtar kanë qenë të gabuara.

“Mendoj se gabimet kanë ndodhur në Ballkan e jo në Uashington, pra sugjerimet i kanë shkuar të gabuara Uashingtonit zyrtar prej udhëheqësve të Ballkanit, kuptohet prej presidentit serb Vuçiq. Ai ka interes shtetëror e nacional dobësimin dhe copëtimin e Kosovës. Janë bërë gabime edhe prej të tjerëve. Ne kemi bindje shumë të thellë se të gjitha institucionet e Amerikës e mbrojë Kosovën, se Kosova është vijë fronti për ta; në kufirin e Kosovës ndahet edhe kufiri në mes influencave amerikane dhe ruse, e ne jemi vijë e frontit dhe jam i bindur se çdo herë Amerika do jetë me Kosovën”, theksoi ai.

Haradinaj tutje tha se Amerika nuk është për ndarjen e Kosovës, dhe se zyrtarët brenda Kosovës kanë dhënë deklarime të gabuara.

“Ne kemi dëgjuar plotë deklarata të zyrtarëve tanë e të njerëzve të mediave qysh nuk na vyen asgjë Leshaku e Veriu, ose se na ka dhënë Rankoviqi veriun. Besoj se këto i dini kush i ka thënë. Kerkush në Amerikë nuk është për ndarje të Kosovës. Amerika ka qëndruar me Kosovën, e do Kosovën është me Kosovën, por sugjerimet dhe opsionet që janë çuar nga Ballkani kanë shkuar të gabuara”, u shpreh Haradinaj.

Kryeministri në detyrë ka përsëritur se taksa ndaj Serbisë do të hiqet vetëm nëse ndodh njohja e shtetit të Kosovës nga shteti serb, transmeton KosovaPress.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme