59% e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë janë të moshës 11-16 vjeç, derisa ka viktima edhe të moshave nën 10 vjeç.
Këto janë të dhënat që janë prezantuar nga specialistë të mjekësisë ligjore në kuadër të projektit “Ma thuaj me kohë”, qëllimi i të cilit është ngritja e vetëdijes në ruajtjen e provave biologjike në rastet e dhunë seksuale, raporton KTV.
Në këtë tryezë, u fol për mënyrën se si duhet reaguar dhe raportuar kur qytetarët bëhen viktima të dhunës seksuale.
“Tani është koha që të ngrisim vetëdijen publike se çka është akti seksual dhe dhuna seksuale dhe të përhapim informata rreth asaj se si të reagojmë dhe si të raportojmë ngjarjen kur personi bëhet viktimë e dhunës seksuale. Unë them se tash është koha, sepse njerëzit e rinj janë jo vetëm ardhmëria, por janë e tashmja”, ka thënë Tarja Formisto, zëvendësdrejtoreshë e IML-së në EULEX.
Ndërsa, për ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, heshtja e viktimave të dhunës seksuale mund të marrë fund duke u mundësuar atyre të flasin për atë që u ka ndodhur.
Në këtë tryezë u theksua rëndësia e ruajtjes së provave biologjike.
Fushata vetëdijesuese rreth dhunës seksuale “Ma thuaj me kohë“ e organizuar nga Policia e Kosovës, Mjekësia ligjore dhe EULEX-i do të zgjasë 9 muaj, ku zyrtarë policorë dhe mjekë të mjekësisë ligjore do të ligjërojnë në mbi 30 shkolla të Kosovës.