Ministri Drejtësisë në dorëheqje, Abelard Tahiri, njofton se sot ka kërkuar nga autoritetet polake arrestimin e përkohshëm të një shtetasi kosovar me qëllim të ekstradimit në Republikën e Kosovës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Sot në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë kam kërkuar nga autoritetet polake për arrestimin e përkohshëm me qëllim të ekstradimit në Republikën e Kosovës të një shtetasi kosovar i cili është i kërkuar nga organet tona gjyqësore për shkak të veprës penale: ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, dhe i njëjti pritet të ekstradohet pas përfundimit të procedurave në shtetin e Polonisë”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se ky është shembull konkret i zotimit si Ministër i Drejtësisë në luftimin e korrupsionit dhe veprave penale që ndërlidhën me keqpërdorimin e pozitës zyrtare.
“E them me përgjegjësi se me ndryshimet e bëra në fushën e drejtësisë, askush nuk do të mund t’i ikë ballafaqimit me drejtësinë, pavarësisht pozitës politike apo zyrtare dhe se askush nuk do të mund të llogarisë në pasuri të fituar me vepër penale”, ka shtuar ai.
Tahiri tutje ka thënë se ky pritet të jete ekstradimi i parë i realizuar ndonjëherë me Republikën e Polonisë.