Arbëri

Veseli thumbon kundërshtarët në fjalimin inaugurues si kandidat për kryeministër

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka thumbuar kundërshtarët politikë, në fjalimin inaugurues si kandidat i kësaj partie për kryeministër.

Ka thënë se PDK-ja e tij duhet të fitojë për të mos i lënë të tjerët që ta dështojnë Kosovën.

Ka thënë se Kosovës nuk i duhen në qeverisje ata që s’guxojnë të marrin vendime; ata që mohojnë shtetin; e as ata që ata që vënë në dilemë dhe cenojnë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Nuk ka përmendur emra, por aludimi është i qartë në LDK-në e Isa Mustafës, Vetëvendosjen e Albin Kurtit dhe AAK-në e Ramush Haradinajt.

Sipas Veselit askush më shumë se PDK-ja nuk e ka të qartë drejtimin që i duhet Kosovës. Ai ka përmendur kauzën e tij për një luftë të pakompromis kundër korrupsionit, për një ekonomi të fortë dhe aleancë me shtetet mike të Kosovës.

“Në dy dekada liri, dhe një dekadë pavarësi, Partia Demokratike ka udhëhequr proceset vendimtare për Kosovën. Të tjerët, ose janë ankuar, ose vetëm na kanë shikuar dhe janë munduar të na gjykojnë. Por, kanë bërë pak ose aspak”, ka thënë ndër të tjera Veseli.

Ai ka thënë se “ka pasur edhe të tillë që janë përpjekur ta mohojnë dhe shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar tash e 20 vjet liri”.

“Edhe sot, ata nuk janë të zotët që t’u dalin ballë sfidave të shtetit. Ose ju mungon guximi, ose zgjedhin rrugën e gabuar! Kosovën nuk mund ta udhëheqë dikush që hyn në borxh para liderit dhe partisë, më shumë sesa para qytetarëve dhe Kosovës”, ka thënë Veseli.

“Jo ata që s’kanë guxim të marrin vendime. Kryeministri i Kosovës duhet t’i përgjigjet vetëm popullit të Kosovës dhe nevojave te qytetarëve”, ka thënë Veseli më tej.

Veseli ka thënë gjithashtu se nuk mund të ndërtohet e ardhmja për shtetin e Kosovës nga ata që dyshojnë në të, që e mohojnë identitetin e shtetit të Kosovës, nga ata qe s’kanë zemër ta çojnë lart flamurin e Kosovës.

“Nuk mund të ndërtohet një e ardhme këtu nga ata që vënë në dilemë dhe cenojnë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian”, ka thënë Veseli.

Është kthyer te vetja.

“Nuk mund të ndërtohet një e ardhme këtu nga ata që nuk kanë vullnet dhe guxim për ta luftuar korrupsionin, nepotizmin dhe abuzimet me pushtetin. Nëse duam ta luftojmë korrupsionin, gjëja e parë është ta pranojmë problemin dhe ta fillojmë ndryshimin nga shtëpia. Sepse, të gjitha partitë e Kosovës kanë qenë dhe janë në pushtet dhe kanë bërë e po bëjnë gabime. Por, PDK është partia e vetme që ka edhe vullnetin, edhe guximin për t’i ndrequr këto gabime”, ka thënë ndër të tjera ai.