Arbëri

Krasniqi: Polarizimi politik reflektoi në punën e Kuvendit

Legjislatura e fundit që nuk pati më shumë se dy vjet jetë u cilësua nga shumë analistë, por edhe vet deputetë, si shumë e dobët dhe pak efektive.

Si udhëheqëse e projektit për fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, Jeta Krasniqi nga KDI, tha se polarizimi politik i cili ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit është reflektuar edhe në punën e legjislaturës së kaluar.

Mungesa e kuorumit që ishte pasojë e një koalicioni të brishtë me Listën Serbe që në vijimësi ka bojkotuar edhe punimet e Qeverisë, por edhe të Kuvendit, si dhe partitë opozitare që bojkotonin punimet, për Krasniqin ka ndikuar edhe në punën e rregullt të Kuvendit.

Si një gjë negative, ajo përmendi edhe seancat me shumë pika të rendit të ditës të cilat barteshin edhe me 3-4 muaj përpara duke bërë që seancat të mos mbylleshin në tërësi.

“Në fakt nëse shohim punën e legjislaturës së kaluar i gjithë polarizimi politik i cili ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit është reflektuar edhe në punën e kësaj legjislature. Kemi parë në fakt se si kemi pasur një qeveri me një koalicion qeverisës me një shumicë ta them kështu të brishtë ku në vazhdimësi ka pasur problem për sigurimin e numrave apo kuorumit në seancat plenare. Kemi parë në fakt që Lista Serbe e cila ka qenë pjesë e koalicionit qeverisës në mënyrë të vazhdueshme ka bojkotuar punimet e qeverisë, pjesëmarrjen e saj në qeveri dhe kjo ka reflektuar edhe në Kuvendin e Kosovës. Nga ana tjetër kemi parë si dy partitë më të mëdha opozitare LDK dhe Vetëvendosje, kanë shtyrë përpara tezat e tyre ku kanë kërkuar legjitimim të legjislaturës dhe të qeverisë dhe në mënyrë të vazhdueshme kanë bojkotuar kohë pas kohe vet punimet e Kuvendit”, u shpreh Krasniqi.

Po ashtu, Krasniqi tha për KosovaPress, se legjislatura e fundit do të mbahet mend edhe për mungesën e mbikëqyrjes së ligjeve, një gjë që për të duhet të ndryshojë në legjislaturën e re që do të dalë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sipas saj, ka pasur disa tentativa për mbikëqyrjen e ligjeve por ato nuk kanë arritur të materializohen dhe pastaj del që Kosova vetëm ka ligje të mira në letër, por që problem mbetet tek zbatimi i tyre.

Ajo ka kërkuar më tepër llogaridhënie nga ana e Qeverisë ndaj Kuvendit dhe duke kujtuar mungesën e kabinetit qeveritar në seanca plenare, ka thënë se kjo nuk duhet të ndodhë në të ardhmen.

“Kjo legjislaturë do të mbahet mend edhe për një gjë, për mungesën edhe të mbikëqyrjes së ligjeve, ka pasur disa tentativa për mbikëqyren e ligjeve, por më pas ato nuk kanë arritur edhe të materializohen ta them kështu në seancat plenare nuk kanë arritur të përmbushin atë procedurën të cilën duhet dhe ka shumë pak ligje të cilat janë mbikëqyrur dhe në përgjithësi nëse shohim në Kosovë ne kemi legjislacion të mirë, mund të mburremi që kemi ligje të mira, por problemi qëndron me zbatimin e ligjeve. Prandaj edhe legjislatura e ardhshme duhet të fokusohet në mbikëqyrjen e ligjeve dhe që të sigurojmë që faktikisht ligjet janë duke u zbatuar dhe në kërkesën e një llogaridhënie edhe më të madhe nga ana e ekzekutivit dhe një përgjegjësi më e madhe edhe nga ekzekutivi ndaj legjislativit”, vijoi Krasniqi.

Përkundër gjërave negative që vuri në pah Krasniqi për punën e legjislaturës së kaluar, ajo përmendi edhe një anë pozitive e që është konsensusi për votimin e pakove që kishin të bënin rreth integrimeve evropiane.

Duke përmendur votimin e fondeve IPA në seancën e fundit kur u shpërnda edhe Kuvendi, Krasniqi u shpreh se kjo legjislaturë përcolli një mesazh pozitiv kur arriti konsensus rreth çështjeve që kishin të bënin me integrimin evropian të vendit.

“Një anë pozitive ka qenë që kjo legjislaturë ka arritur të ndërtojë konsensus në të gjithë spektrin politik për çështjet që kanë të bëjnë me integrimet evropiane. Këtë e kemi parë edhe në seancën e fundit para se Kuvendi të shpërndahej se para se deputetët të votonin për shpërndarjen e Kuvendit ku u votua për fondet IPA nga të gjithë partitë politike dhe më përpara kur i gjithë spektri politik ka votuar për pako të ndryshme të ligjeve që kanë të bëjnë me integrimin evropian. Pra ky është një mesazh pozitiv që ky Kuvend dërgoi që ka një konsensus të gjerë të spektrit politik rreth integrimeve evropiane dhe rreth orientimit të Kosovës drejt integrimeve evropiane”, tha ndër të tjera Krasniqi.

Krasniqi duke folur për dialogun me Serbinë tha se në dyvjeçarin e fundit dialogu ka dalë nga binarët dhe Kosova ka shpenzuar kohë duke u marrë me veten se kush duhet ta përfaqësojë në këtë proces dhe çfarë teze të shtyjnë përpara dhe jo duke konsoliduar veten në arenën ndërkombëtare. Ajo foli për çështjet që duhet të jenë vija të kuqe të Kosovës në dialog, pasi mund të rrezikojë funksionimin tonë si shtet.

Duke pasur në mendje idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh dhe kundërshtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, Krasniqi tha se Kosova po lobonte për dy teza në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe në vlerësimin e saj e dëmtoi pozitën e Kosovës.

Sipas saj, ndonjëherë dukej se liderët për shkak të qëndrimeve të tyre po përfaqësonin shtete të ndryshme.

“Ishte ideja e kundërshtuar nga kryeministri Haradinaj kundër korrigjimit të kufijve apo kundër çfarëdo lloj bisedimi rreth integritetit territorial të Kosovës dhe ideja për një korrigjim kufijsh nga ana e presidentit Thaçi. Kjo në fakt dëmtoi, vlerësoi unë, vet pozitën e Kosovës në këtë proces pasi të shkosh dhe të lobosh për dy teza të ndryshme të cilat janë në kundërshtim me njëra-tjetrën nuk është efektive dhe u duk në momente të caktuara sikur përfaqësues të ndryshëm të institucioneve të shtetit, përfaqësonin shtete autonome apo kishin shtetin e veçantë dhe kjo tregon mungesën e seriozitetit të shtetit të Kosovës dhe nuk e shpërfaq seriozitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha ajo.

Kohë më parë qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një letre thanë se janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal.

Për Jeta Krasniqin kjo letër duhet të shihet me pozitivitet pasi tregon se tashmë ka edhe një konsensus në mesin e vendeve aleate të Kosovës për procesin e dialogut.

Megjithatë, ajo tha se Kosova duhet të tregohet e kujdesshme që të ndërtojë kërkesat e saj mbi këtë mbështetje dhe të marrë garanca se do të ketë po kaq mbështetje edhe rreth integrimit evropian të vendit duke ditur se pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

Gjatë kësaj jave vendin tonë e vizituan senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson të cilët thanë se Kosova duhet të sakrifikojë që procesi i dialogut të vazhdojë dhe të ketë një marrëveshje përfundimtare që do të sillte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mirëpo, për Krasniqin sakrificat duhet të jenë të tilla që mos ta cenojnë funksionimin e brendshëm të Kosovës, që mos të cenojnë integritetin territorial të vendit dhe ta bëjnë Kosovën shtet më të fortë.

Ajo thekson faktin se Kosova duhet të dalë më mirë nga proces i dialogut dhe të mos pranojë të diskutojë për çështje që do të rrezikojnë ta shndërrojnë Kosovën në një Bosnje të dytë.

Qeveria e re e Kosovës, pavarësisht emrit të kryeministrit apo kryeministres, do ta ketë në agjendën e saj edhe çështjen e dialogut për të cilën Jeta Krasniqi tha në KosovaPress, se duhet të tregohet kujdes.

Ajo kërkoi nga institucionet të jenë më seriozë dhe të kenë unitet në qëndrime, pasi vetëm kështu mund të dëshmojmë që jemi shtet i pavarur që duam të shtyjmë përpara çfarëdo lloj procesi.

“Të jenë seriozë në mënyrën se si e trajtojnë çështjen e dialogut dhe të tentojnë të kenë një qëndrim unik duke bashkërenduar veprimet ndërinstitucionale por edhe duke ditur qartazi se si të arrijmë deri atje. Retorikat boshe politike duhet të lihen anash, kemi të bëjmë me një proces shumë serioz dhe duhet të tregohet se ne si shtet jemi seriozë dhe ne si shtet jemi të pavarur dhe mund të shtyjmë çfarëdo lloj procesi që ka të bëjë me mirëqenien e qytetarëve dhe me të ardhmen e shtetit tonë përpara si një shtet prapë po e them serioz dhe i pavarur”, tha Krasniqi.