Arbëri

Disa nga emrat që pritet të kandidojnë për deputetë

Kanë nisur të bëhen publikë disa nga emrat e kandidatëve që synojnë të ulen në ulësen e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Ndonëse ende nuk janë zyrtarizuar në KQZ, një ditë para afatit përfundimtar për dorëzimin e listave, shumë deputetë kanë shkruar në profilet e tyre në Facebook, se do të jenë në lista.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa thotë për ksp, se kanë pranuar propozimet nga degët e LDK-së, mirëpo ende nuk është vendosur se cilët do të jenë kandidatët. Sipas tij, LDK ka parim që ata që janë të dënuar nga organet e drejtësisë, nuk do të përfshihen në listën e kandidatëve.

“Ne tani kemi pranuar listat apo propozimet nga 38 degët e LDK-së nga e gjithë Kosova, këto lista dje dhe sot janë duke u analizuar nga kryesia qendrore e LDK-së, dhe lista finale do të përpilohet gjatë këtyre ditëve. Ju e dini kemi afat deri më 6 shtator për të dorëzuar finale në KQZ. Do të ketë emra të ri, ne kemi vetëm 24 deputetë të legjislaturës së fundit. Pra, matematikisht do të ketë emra të ri, nuk mund të konfirmoj asnjë emër të veçantë tani për tani”, tha Mustafa.

Thotë se do të respektojnë kuotën gjinore në përfshirjen e grave në listën e kandidatëve për deputetë, derisa zotohet se do të tejkalohet edhe 30 për qindëshi, siç është edhe i paraparë. Mustafa mes tjerash thotë se me kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre, LDK tregon që i jep rëndësi të veçantë përfaqësimit të gruas në politikë.

Disa nga emrat që tashmë dihen të kandidatëve për pjesëmarrje në legjislaturën e ardhshme nga LDK janë Kujtim Shala, Besa Gaxherri, Ramiz Kelmendi, Shkumbin Gashi, Mikete Hajdari, Fatmir Sejdiu, Doruntinë Maloku, Ekrem Hyseni, Florie Besholli, Florian Dushi, Sali Asllanaj, Muharrem Svarqa, Mirjeta Kalludra, Isuf Berisha, Nexhmi Rudari, Visar Hoti, Fidan Rekaliu, Shqipe Ramaj, Bexhet Kuçi, Shkëmb Manaj, Shkelzen Hajdini, Ilir Tasholli dhe Vlora Limani-Hajnuni.

Rexhep Gjergji, Vlora Dumoshi, Imet Rrahmani e Frashër Demaj janë tre të tjerë, që në profilet e tyre në Facebook kanë shkruar se kanë marrë besimin e degëve përkatëse për të qenë kandidatë për deputetë. Një faqe në Facebook, ka shkruar se kandidate për deputete do të jetë edhe vajza e Gani Gecit, Marigona Geci.

LDK në këto zgjedhje do të garojë me Vjosa Osmanin, si kandidate për kryeministre, teksa kjo parti, sikurse të tjerat, do të kenë mundësinë që t’i kenë nga 110 kandidatë në listën zgjedhore.

Listën me kandidatë për deputetë është duke e finalizuar edhe Nisma Socialdemokrate. Çerkin Dukolli nga kjo parti thotë se do të ketë kandidatë me kredenciale të larta.

“Ajo çfarë mund të themi është se në kuadër të listës së Nismës, por edhe të koalicionit në përgjithësi, do të ketë kandidatë me kredenciale të larta, burra dhe gra, djem e vajza dhe ekspertë të fushave, njerëz të dëshmuar, me të cilët do të krenohemi si listë të koalicionit”, deklaron Dukolli.

Nisma Socialdemokrate do të garojë në koalicion me Aleancën Kosova e Re, në marrëveshjen të cilën e kanë arritur këto dy parti, bartës i listës do të jetë Fatmir Limaj.

Kandidatët për deputetë nga Partia Socialdemokrate janë të gjithë deputetët e legjislaturës së kaluar, përveç Aida Dërgutit, si: Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Driton Çaushi, Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani, Faton Topalli, Sali Salihu, Besa Baftiu e Frashër Krasniqi. Të paktën kështu kishte deklaruar Shpend Ahmeti. E zëdhënësja për media në këtë parti Natyra Kuçi thotë se në mesin e 25 kandidatëve, do të ketë edhe emra të ri.

“Janë edhe figura të reja, të cilat do të aderojnë, mirëpo nuk do të bëjmë emra tani për tani... Do të përpiqemi në mesin e këtyre të kemi sa më shumë gra, meqenëse kuota është 30, jemi duke u përpjekur që të ketë më shumë se 30 për qind gra, nuk është e lehtë, por jemi vazhdimisht duke u përpjekur që të gjejmë dhe të lëmë hapësirë edhe në listat zgjedhore për gratë”, tha Kuçi.

Në marrëveshjen e arritur ndërmjet AAK-së dhe PSD-së, bartës i listës është Ramush Haradinaj.

E kandidatët nga LVV që tashmë janë bërë të ditur janë: Nevdaz Isufi, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Ismajl Kurteshi, Arijeta Rexhepi, Labinotë Demi-Murtezi, Alban Hyseni, Faruk Mujka, Fidan Ademi, Avni Zogiani dhe Albana Gashi. Ndërsa, ish-deputeti Sami Kurteshi nga dega e Gjilanit, nuk është kandiduar.

Listën e kandidatëve për deputetë në legjislaturën e ardhshme është duke e përgatitur edhe Partia Demokratike e Kosovës, ku bartës i listës do të jetë Kadri Veseli.

Pjesë e garës për deputetë nuk do të jenë ish-deputetët e pavarur, Korab Sejdiu dhe Ilir Deda.

Ndryshe, fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor, ndërsa zgjedhjet mbahen më 6 tetor. Organizimi i këtyre zgjedhjeve buxhetit të Kosovës do t’i kushtojnë rreth 6 milionë euro.