Arbëri

Senatorët amerikanë thonë se duhet sakrificë për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi

Në Prishtinë kanë qëndruar senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson. Baskë zhvilluan takime me përfaqësues politikë në Kosovë dhe temë kyçe ishte normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Johnson para mediave tha se vizita e tij dhe senatorit Murphy në Kosovë, është një rikonfrimim i mbështetjes së SHBA-së ndaj procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në veçanti ne kemi qenë të përfshirë, unë kam qenë, njëjtë dhe senatori Murphy në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që të vijmë deri të një marrëveshje, është çelësi që hap potencialin e së ardhmes. Pra, ne jemi këtu së pari të mbështesim qytetarët e rajonit, qytetarët e Kosovës, qytetarët e Serbisë. Ne duam që t’i shohim ata të kenë sukses”, deklaroi Johnson.

Ndërkaq senatori Murphy duke folur për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, tha se priten sakrifica nga të dyja palët.

“Ne shohim një të ardhme për Kosovën që ekziston me miqtë tanë në komunitetin evropian dhe të gjithë bizneset amerikane dhe transatlantike që mund të jenë partnerë në suksesin ekonomik të Kosovës. Por, janë dy gjëra të nevojshme për ringjalljen ekonomike. E para është reforma e brendshme, përkushtimi për rendin dhe ligjin, përkushtimi për reformën në sistemin e edukimit, por po ashtu përkushtimi për dialogun me Serbinë që do të përfshijë zgjidhje të vështira, këtu dhe në Beograd”, tha Murphy.

Të dy do të vizitojnë edhe Beogradin dhe thanë se do t’i përcjellin mesazhet e njëjta që i dhanë në Prishtinë.

“Ne do t’i themi gjërat e njëjta atje që i thamë këtu. Ne presim që ky dialog të jetë kuptimplotë dhe i frytshëm dhe ne shpresojmë që të dyja palët do ta kuptojnë se kërkohet sakrificë për të qenë e mundur që të normalizohen raportet mes këtyre dy kombeve”, deklaroi senatori Murphy.

Vizita e dy senatorëve amerikanë vjen vetëm pak ditë pasi SHBA-ja emëroi zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Metthew Palmer, Përfaqësues të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.