Bajrami i thotë Sejdiut se s’është kredibil, ky se LDK-ja është bashkëfajtore me PDK-në

03 September 2019 20:34
21:13

Hykmete Bajrami e LDK-së ka thënë se Dardan Sejdiu i PSD-së, tash në koalicion me AAK-në, s’është kredibil të flasë për programe ekonomike.

Sipas saj, kjo për arsye se ai ka mbështetur një program tjetër sa ishte në opozitë dhe tash është bashkuar në një program që e ka kundërshtuar.

Këtyre akuzave, Sejdiu iu është përgjigjur me kundërakuza ndaj Bajramit duke thënë se “LDK-ja është bashkëfajtore me PDK-në për gjendjen e deritashme në vend”.

Bajrami në Rubikon të KTV-së ka premtuar heqjen e monopolit në homologia, nëse LDK-ja fiton zgjedhjet.

E pyetur nga Bedri Hamza i PDK-së se pse s’është hequr kur LDK-ja qeveriste me vendin, Bajrami iu përgjigj “sepse ministri juaj Fatmir Limaj e kishte bërë kontratën për dhjetë vjet”.

21:01

Murati e Sejdiu përplasen për programin e VV-së, e se cili është i djathtë

Hekuran Murati ka thënë se programin e Lëvizjes Vetëvenodsje po e kopjojnë partitë e tjera.

“Çuditërisht tash Kadri Veseli ka dal me idenë për luftën e korrupsionit. Janë pika 34 dhe 35 e programit të Vetëvendosjes. E dëgjova një ditë Lumir Abdixhikun që tha se do ta bëjnë qeverinë me 12 ministri. Ka rastisur të jetë pika e 12 e programit me 40 pika të Vetëvenodjes”, ka thënë Murati, duke akuzuar edhe koalicionin AAK-PSD për kopjimi të programit të vitit 2017.

Por këtu ka reaguar Dardan Sejdiu, ish deputet i Vetëvendosjes.

“Unë e kam bërë pjesën më të madhe të atij programi”, ka thënë Sejdiu.

Murati s’e ka pranuar, duke thënë se “Sejdiu ka bërë vetëm pjesën e pensioneve”.

Sejdiu ka pyetur Muratin nëse në program është ende çështja e valutës Lekë, pa dhënë më shumë sqarime se për çfarë e ka fjalën.

Murati e Sejdiu janë përplasur edhe për të majtën.

“Dardan, ti ke qenë i djathtë, tash je bërë i majtë në retorikë”, ka thënë Murat.

“Ti a je i majtë a i djathtë”, ia ka kthyer Sejdiu.

“Unë jam i djathtë edhe me bindje edhe me retorikë”, ka thënë Murati, ndonëse ka aderuar në Vetëvendosje.

“Unë jam konvertuar, e kam tradhtuar të majtën, sepse e kam kuptuar se politikat e qendrës së majtë janë më të mira. Për dallim prej teje që ke mbetur i djathtë. Vazhdo”, ka thënë më tej Sejdiu.

20:56

Hamza: LDK-ja jo që e kap shtetin, por e plas

Ministri në dorëheqje i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se LDK-së nuk i takon të akuzojë të tjerë për kapjen e shtetit.

Sipas tij, kjo parti po të ishte në pushtet, do ta plaste shtetin.

“Këta jo që e kapin shtetin, por e plasin shtetin. S’mund të hysh në dikastere të ndryshme pa e pas librezën e partisë”, ka thënë ai në Rubikon duke thënë se institucionet kryesore të vendit ishin të menaxhuara nga zyrtarë të LDK-së, në kohën sa kjo parti qeveriste me vendin.

Në anën tjetër, Hykmete Bajrami ka thënë se partia e Hamzës, PDK-ja, është sinonim i kapjes së shtetit. Ajo ka thënë se kjo parti s’ka lënë familjarë të vet pa i bërë noterë.

“Sinonim i kapjes së shtetit është PDK-ja. Veç sa e keni përfunduar provimin për noterë. E keni kap policinë, prokurorinë, AKI-në e keni dalë duke thënë se e luftoni korrupsionin”, ka shtuar ajo.

20:51

Sejdiu thotë se modeli i deritashëm ekonomik nuk ka luftuar papunësinë

Sipas Dardan Sejdiut nga koalicioni AAK-PSD, modeli i deritashëm ekonomik në Kosovë nuk e ka luftuar papunësinë në vend.

Në Rubikon ai ka thënë se më ekonomia nuk duhet të bazohet në financim të plotë të buxhetit nga konsumi. Sipas tij, investimet e huaja direkte kanë munguar në vitet e fundit dhe se privatizimet që nga viti 2001 nuk janë shfrytëzuar për rimëkëmbie të ekonomisë në Kosovë.

Ai ka thënë se duhet investuar në teknologjinë informative, në arsimin që të ndërlidhet me ekonominë për të krijuar vlerë të shtuar, në përpunimin e ushqimit, në energji e në miniera.

Sejdiu ka thënë se beson që niveli i papunësisë në Kosovë është mbi 30 për qind.

20:40

Bajrami: Autostradat bëhen veç për shpronësime

Hykmete Bajrami nga LDK-ja ka thënë se keqpërdorimi i buxhetit nga Qeveria Haradinaj ka bërë që të humben 24 mijë vende të punës në Kosovë.

Sipas saj, më 2017, sipas raporteve ishin 365 mijë të punësuar, ndërsa dy vjet më vonë, figuron se janë 341 mijë.

“24 mijë vende të punës të humbura në sektorin privat”, ka thënë ajo duke akuzuar ish-qeverinë se keqpërdorimet e buxhetit çoi në përkeqësim të ekonomisë. “Keqpërdorimi i buxhetit, resurseve duke filluar nga numri enorm i kabinetit. Gjithë pagat e 450 të emëruarve politikë, janë taksa të sektorit privat”.

Bajrami ka thënë po ashtu ka kritikuar edhe planin për autostradën e Dukagjinit. Sipas saj, kosto e shpronësimit ishte paraparë rreth 600 milionë eurosh.

“Autostradat bëhen veç për shpronësime”, ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë se LDK-ja në qeverisje do ta decentralizojë subvencionimin e bujqësisë, duke ua adresuar komunave fondin për bujqësi, respektivisht Drejtorive për Zhvillim.

“Ata njohin më mirë bujqit. Në mënyrën se si është ndarë fondi për bujqësi ka qenë gabim. I është ndarë fond për bujqësi dikujt që jeton në katin e 10 në soliter në Pejë, e nuk i është dhënë bujkut në Rugovë, vetëm pse kur kanë shkuar prej Prishtinës nuk i kanë gjetur bujqit aty”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se subvencioni duhet të bëhet bazuar në rendiment dhe jo në hektarë.

20:34

Murati thotë se papunësia në Kosovë është mbi 50 %, Hamza e mohon

Hekuran Murati i Vetëvendosjes, ka shprehur bindjen se papunësia në Kosovë është më shumë se 50 për qind. Në debatin për ekonominë në Rubikon të KTV-së, me këtë shifër nuk është pajtuar ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza, i PDK-së.

“Para se të tregojmë planin tonë për ekonominë, duhet bërë një analizë se çfarë ka ndodhur deri tani. Për 20 vjet kemi pasur qeveri që kanë abuzuar me paranë publike, ka keqmenaxhuar, dhe si pasojë kemi në një rezultat me mbi 50 për qind të papunëve, ku shpresa ka humbur dhe ku kemi 10 për qind e qytetarëve që tashmë veç kanë ikur nga Kosova”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë se para se të pretendohet krijimi i vendeve të punës duhet të sundojë ligji. Shteti duhet t’i trajtojë bizneset në mënyrë të barabartë.

Por Bedri Hamza nuk është pajtuar me këtë shifër.

“Lehtë është me thanë sa të duash, por shifrat nuk çojnë te 50 përqindëshi. Papunësia te ne është e madhe, por nuk është 50 për qind. Sillet te 25 për qind deri në 30 për qind”, ka thënë Hamza.

“Te ne rritja ekonomike është 4 për qind, që është më e larta në rajon, e që megjithatë nuk është e mjaftueshme për të përballuar me sfidat e Kosovës”, ka thënë ai.

Hamza ka thënë se fatbardhësisht në Kosovë është në rritje të vazhdueshme numri i të punësuarve në sektorin privat.

“Në fund të vitit 2018 sipas ATK-së dhe Trustit, në sektorin privat kemi pasur të punësuar 261 mijë vetë, ndërsa në sektorin publik diku te 83 mijë vetë. Në raport me vitin paraprak kemi pasur 11 mijë vende të reja të punës”, ka thënë Hamza.

Në anën tjetër, Murati ka thënë se investimet e huaja direkte janë zero. Derisa ka thënë se dy të tjerat prej tyre janë në patundshmëri, që nuk gjeneron zhvillim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme