Arbëri

Palmer insiston se SHBA-ja e sheh njohjen e ndërsjellë si zgjidhje mes Kosovës e Serbisë

Descriptive Text

Matthew Palmer, ka thënë se e ka pranuar emërimin e tij si i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, pasi mendon se mund të arrihet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje, sipas tij do ta transformonte tërë Ballkanin, do t’i hapte rrugën evropiane Serbisë dhe Kosovës, si dhe do të ishte një gjë pozitive për rajonin, Evropën dhe SHBA-në.

“Zgjidhja e çështjes së Kosovës është shumë lart në agjendën time. Ne kemi mundësinë duam të përfitojmë prej kësaj”, tha Palmer në intervistën dhënë Tanjugut, përcjell Koha.net. Ai ka thënë tutje se qëllimi i tij është t'i kthejë palët në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje.

Kthimi i Beogradit dhe Prishtinës në tryezën e bisedimeve, thekson Palmer, është një qëllim afatshkurtër për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kemi zgjedhje në Kosovë më 6 tetor, dhe zgjedhjet do të mbahen në pranverë edhe në Serbi. Ne do të kemi mundësinë që të vazhdojmë negociatat midis dy zgjedhjeve, situatë nga e cila do të përfitojmë. Shpresojmë që të dyja palët të shfrytëzojnë këtë mundësi”, theksoi ai.

Palmer tha se ka një sërë sfidash në këtë proces, e njëra është që të vazhdojnë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur dhe tjetra për të gjetur një bazë të përbashkët për negociatat.

Siç raporton Tanjugu, ai shprehu shpresë se qeveria e ardhshme e Kosovës do të pranojë të pezullojë tarifat për të lejuar që dialogu të rifillojë dhe se Beogradi do të ndalë përpjekjet për të penguar ndërkombëtarisht Kosovën dhe të lobojë për tërheqjet e njohjeve nga vendet e tjera.

E gjithë kjo, sipas fjalëve të tij, “helmon atmosferën” dhe e bën të vështirë kthimin në negociata me një frymë konstruktive.

I pyetur, nëse nuk ka vija të kuqe në dialog, pasi zyrtarisht po përsëritet, se problemi është te lobimi i Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës, Palmeri ka thënë se “lobimi ka shkaktuar tarifa, dhe ato janë bërë pengesë për përparimin në dialog, dhe nga ana tjetër Beogradi e konsideron këtë si arsye për të mos u kthyer në tryezën e bisedimeve”.

“Një gjë e tillë nuk është e dobishme. Lobimi në, para së gjithash, vendet e vogla për të tërhequr njohjen mund të jetë një sukses taktik për Serbinë, por do t’i kushtonte Beogradit me ruajtjen e interesit të vet që të arrijë një marrëveshje për normalizim. Shpresojmë që të dy palët të kuptojnë interesat e tyre dhe të arrijnë një marrëveshje”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se SHBA-ja do të dëshironte ta shihte njohjen e ndërsjellë si një pikë qendrore të marrëveshjes. Qëllimi i SHBA është të mbështesë një dialog dhe një marrëveshje nga e cila, siç tha ai, të gjithë do të dalin asisoj që të mbrojnë interesat e tyre themelore.

Sipas tij, askush nuk duhet të ketë ndjenjën se ka humbur, dhe se nuk ka asnjë arsye që një kompromis të jetë fitore për Serbinë, për Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare.

“Do të kërkojë një kompromis, një lloj empatie, një kuptim se si pala tjetër i shikon gjërat dhe një gatishmëri për të punuar së bashku për të gjetur një marrëveshje që është e pranueshme dhe në të njëjtën kohë mund të paraqitet para qytetarëve si zgjidhja e duhur”, shpjegoi Palmer.

Ai tha se SHBA-ja dhe Serbia dëshirojnë të njëjtën gjë - përparimin drejt së ardhmes evropiane të Serbisë.

“Ne duam një perspektivë evropiane për Serbinë, dhe për ta arritur këtë kërkon një zgjidhje për çështjen e Kosovës. Serbia ka mbështetjen e SHBA-së në këtë proces, siç ka edhe Kosova. Ne duam t'i ndihmojmë palët të takohen, të identifikojnë pikat me interes të përbashkët, por edhe dallimet dhe të arrijmë në një marrëveshje e cila do të ishte më e mira për të ardhmen e tyre”, ka thënë Palmer.

I pyetur se çfarë nënkupton SHBA-ja me kompromis, në një situatë kur është e qartë se Beogradi nuk do të pranonte të njohë Kosovën pa marrë asgjë, Palmeri tha se nuk i takon SHBA-së që të thotë se çfarë kompromisi duhet të ndodhë, por se është me rëndësi që palët të marrin përgjegjësinë për veprimet e veta.

“Ne jemi të gatshëm të punojmë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë për të mbështetur përparimin. Është shumë e rëndësishme që marrëveshja të jetë diçka vendore, jo diçka e shkruar në Washington dhe pastaj t’u imponohet palëve. Kjo nuk do të ishte një e ardhme e qëndrueshme”, tha Palmeri.

Në rast të mosarritjes së një marrëveshje, Palmeri thotë se në atë rast të gjithë do të ishin humbës.

“Shpresojmë që të arrihet një marrëveshje dhe ato mund të mbështeten në miqësinë, mbështetjen dhe angazhimin aktiv të SHBA-së në këtë proces”, tha Palmeri.

Në dialog, ai beson, ka shumë tema që duhen diskutuar, pasi çdo zgjidhje e qëndrueshme përmban një aspekt shumëdimensional, politik, ekonomik dhe të sigurisë, si dhe një kulturor në lidhje me pozicionin e pasurisë së Kishës Ortodokse Serbe.

“Këto janë të gjitha tema të hapura për t’u diskutuar. Ka shumë elemente për të biseduar”, ka thënë Palmer, raporton Tanjug, përcjell Koha.net.

I pyetur nëse interpretimet që “i kërkonin Perëndimit të arrihet një zgjidhje për çështjen e Kosovës deri në qershor të vitit të ardhshëm është e lidhur me zgjedhjet në SHBA dhe dëshirën e Donald Trumpit për një zgjidhje brenda mandatit të tij”, Palmer tha se “dëshira për të arritur një zgjidhje nuk nxitej nga politika amerikane por përkundrazi.

“Shpresoj që palët të kuptojnë nevojën për urgjencë dhe se ata do të jenë në gjendje të kthehen në dialog sa më shpejt të jetë e mundur pas zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së Kosovës”, përfundoi Palmer.