Arbëri

Shukri Buja, i akuzuar për korrupsion, rikthehet në PDK

Ish-kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja është rikthyer në Partinë Demokratike të Kosovës. I dënuar me tri vjet burgim për korrupsion nga Gjykata Themelore, e me lëndë të kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, Buja ka thënë se është kthyer për të përkrahur vëllanë e tij, ish-ministrin e Arsimit, Ramë Buja.

Ai në mbrëmjen e së hënës ka mbajtur një takim me kryesinë e nëndegës së PDK-së në fshatin Bujan dhe me përfaqësues të kryesisë së degës në Lipjan duke u zotuar se do ta mbështes “Dekadën e re”.

Buja nëpërmjet telefonit ka thënë për Kohën Ditore se njëra nga arsyet shtesë është edhe aktivizimi i vëllait të tij në PDK, Ramë Buja.

“Po ju konfirmoj se jam rikthyer në aktivitet politik në PDK. Arsyet janë të shumta dhe njëra nga to është se kam vendosur pas shumë takimeve me udhëheqësit e PDK se dhe z. Veseli me të cilët kemi qartësuar politikat që duhet ndjekur në të ardhmen... Po ashtu aktivizimi i Ramë Bujës vëllait tim në PDK është arsyeje shtesë”, ka thënë shkurt Buja nëpërmjet telefonit.

KTV-ja më 23 gusht ka raportuar se Apeli e ka kthyer në rigjykim rastin e Shukri Bujës, i cili ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ishte dënuar me 3 vjet burgim.

Përveç Bujës në këtë rast ishin të përfshirë edhe 9 persona të tjerë. Buja akuzohej nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga komuna e Lipjanit me kompaninë “NEW Co Feronikel Complex LL. C.”.

Me këtë Prokuroria pretendonte se i është shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Nga ana tjetër, rikthimi i Ramë Bujës ishte bërë i ditur kohë më parë, kur ishte emëruar në mesin e 151 anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së. Së fundi, prezantimin për rikthimin e tij e bëri në Facebook, zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Shukri Buja kishte kaluar në Nismën për Kosovën, të Jakup Krasniqit e Fatmir Limajt.