Partitë politike, garuese në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, zotohen se në listat e tyre me kandidatët për deputetë nuk do të figurojnë emra të personave që kanë apo kanë pasur probleme me ligjin.
Shoqëria civile si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë nga vendet e Quint-it u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje, që të sigurohen që në listat e tyre të kandidatëve për deputetë të mos ketë emra të personave të inkriminuar ose që kanë dosje të hapura nëpër gjykata.
Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thanë për Radion Evropa e Lirë, se lista e PDK-së do të jetë, siç u tha, e pastër, pa persona të cilët mund të kenë pasur problem me ligjin.
Betim Gjoshi nga shtabi zgjedhor i PDK-së tha për Radion Evropa e Lirë se kryetari i kësaj partie politike, Kadri Veseli nuk do të lejojë figura apo persona në strukturat e saj që kanë pasur problem me ligjin.
Edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovë (LDK) thonë se nga kjo javë do të nisin punën në përpilimin e listës zgjedhore me kandidatë të mundshme për deputetë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.
Besian Mustafa, zyrtar për media, tha se në LDK ekzistojnë parime lidhur me atë se kush duhet të jetë kandidat për deputet.
Lidhur me këtë çështje, edhe subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka formuar një komision, i cili ka nisur të funksionojë, për përzgjedhjen e personave të cilët do të jenë kandidatë të mundshëm për deputetë. Smajl Latifi drejtuesi i komisionit, i cili quhen me emrin "Etik", tha se kodet etike të partisë do të respektohen dhe nuk do të ketë emra për deputetë, të cilët nuk e meritojnë ose që kanë probleme me ligjin.
Arlind Manxhuka nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, tha se subjekti i tyre gjithmonë ka pasur lista për zgjedhje dhe kandidatë të pastër, sipas tij, pa problem me ligjin apo aktakuza të ngritura.