Arbëri

Çerkini kërkon presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Java e të Pagjeturve u mbyll zyrtarisht të premten përmes homazheve dhe organizimeve të ndryshme të cilat shënuan Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Janë plot dy dekada që kërkohen eshtrat e të pagjeturve, të cilët u vranë e u zhdukën në luftën e fundit në Kosovë nga regjimi i Sllobodan Millosheviq.

Udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, i cili edhe ai vet kërkon të zbardhë të vërtetën për djalin e tij, thotë se dhimbja e familjarëve të personave të pagjetur nuk shuhet, por po zbehen shpresat e tyre, ashtu si edhe puna e institucioneve për të kërkuar të paktën eshtrat e mbi 1600 personave që ende mungojnë.

Ai thotë Serbia e di se ku janë varrezat por se nuk dëshiron të tregojë, derisa e sheh të domosdoshëm ndërhyrjen e Bashkësisë Ndërkombëtare.

Sipas Çerkinit, Bashkësia Ndërkombëtare ka fuqi politike dhe ekonomike dhe mund ta kushtëzojë Serbinë deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Merre me mend kanë marrë një aparat prej Indie, por njeri është i gjallë, oficeri është i gjallë që i ka çu aty, e neve na thuhet se nuk e dimë se ku i kemi lënë. Serbia e dinë, por nuk dëshiron të tregojë pa ua bërë një kusht jashtëzakonisht të madh se Bashkësia Ndërkombëtare ka fuqi edhe politike, po ka edhe fuqi ekonomike ta bllokojë derisa të na kthejnë më të dashurit”, tha Çerkini.

Çerkini, tha se taksa ka marrë më shumë vlerë dhe përmendet më shumë në Serbi e Kosovë dhe nga ndërkombëtarët si faktor për të ardhmen e bisedimeve sesa jetët e njerëzve.

“Taksa është vendim jashtëzakonisht i fortë, por pse nuk thuhet nuk bëjmë bisedime përderisa nuk na i zbardh fatin e të pagjeturve, por përmendet më shumë taksa. Më shumë përmendet një taksë sesa njerëzit. Më shumë përmendet edhe në Serbi, edhe në Kosovë, por edhe tek ndërkombëtarët një taksë e nuk përmenden njerëzit të cilët janë më plagë, familjarët po shkojnë pa e ditur për të dashurit e tyre”, tha ai.

Kreu i shoqatës “Zëri i Prindërve” u tregua kritik edhe me ndërkombëtarët. Ai tha se ata kanë vetëm fjalë, por jo edhe veprime. Çerkini tha se është e kot të kërkohet zbardhja e fatit të të pagjeturve pa presionin e tyre.

“Më duket se ndërkombëtarët veç flasin e presion nuk bëjnë. Kom pasur takime gjithmonë me ndërkombëtarë, fjalë të mira e punë jo të mira. Se nëse do ndërkombëtari me pas seriozisht ose i sinqertë për këtë problem, ata sonte mi thirr Vuçiqin e Thaçin i bëjnë bashkë e nuk kanë çare pa shku. Bashkësia ndërkombëtare në Bruksel nuk po iu intereson për shkak se duhet dikush mu përgjigj. Derisa në Beograd e udhëheqin politikën e Sllobodan Millosheviqit, nuk ka zbardhje të fatit të pagjeturve pa një presion ndërkombëtar”, vijoi ai.

Udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur e përkrah idenë që një përfaqësues i personave të pagjetur të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Ai tha se dhimbja dhe plagët e tyre duhet të tregohen nga ata që e kanë përjetuar vetë. Sipas tij, nuk e di pse nuk mund të jenë pjesë e delegacionit apo se kujt i pengojnë.

“Shpeshherë po flitet se duhet një anëtar apo dy i familjarëve në Bruksel. Është keq me fol, por edhe në grupet e bisedave me palën tjetër është keq me qenë pa familjarë. Jo me ata përfaqësues të familjarëve që nuk kanë asnjë të pagjetur, por drejtpërsëdrejti me atë që është i prekur dhe nuk trembet para askujt për ta treguar të vërtetën. Na nuk jemi politikanë por kemi plagë dhe plagët tona duhet t’i themi në dialog, në Bruksel, pse të mos jemi edhe në pjesë e delegacionit, kujt po i pengojmë? Është keq të formohet një komision apo grup delegues pa përfaqësuesin e familjarëve të të pagjeturve”, tha ai.

Ai tha se po trumbetohet se është kryer rreth 70% e punës më çështjen e të pagjeturve, por sipas tij, nuk është bërë as 40% dhe thotë se deklarimet e tilla e kanë bërë të ndihen keq.

“Është ka flitet se 70% është kry puna në Kosovë e personave të pagjetur, kjo jashtëzakonisht ma vret veshin. Në Kosovë asgjë nuk është bërë fshehtë. Në Kosovë kurrgjë nuk ka që nuk dihet ku janë. Ne pas luftës kemi gjet me qindra vet mbi tokë, me qindra njerëz të vdekur kemi gjetur në xhamia, nëpër oborre, nëpër fusha dhe thuhet kemi kry punë 70% është jo normale. Nuk kemi kry punë sa duhet. Janë 2 mijë vetë pa ADN të varrosur e kur dalin para opinionit ‘jo kemi punuar shumë, kemi bo 70%-shin’ është për mua shumë e prekshme. Për mu nuk është bërë 70%, as 40% për shkak të disa sendeve familjarët i kanë gjetur vet nëpër shtëpi, oborre, xhamia dhe i kanë varrosur pa asnjë analize të ADN-së”, tha ai.

Çerkini tha se asnjëherë nuk e kishte menduar që do të kalonin 20 vjet dhe nuk do të gjendej djali i tij. 

“Djemtë e rinj që kanë lindur gjatë luftës, me ua pas dhënë mjetet dhe me ua pas a dhënë ka 150 euro qysh ua japin me na shërby nëpër kafe, e kishin gërmuar edhe i kishin gjetur deri tash, e lëre më shteti, lëre më institucionet që këtë Kosovë ta gërmojnë për 20 vjet”, u shpreh Çerkini.

Vet Çerkini njofton se ka qenë në Beograd disa herë në takime të ndryshme nëpër ambasada dhe institucionet serbe ku është interesuar e madje edhe i ka vizituar lokacionet e dyshuara për varre masive./KsP/