Arbëri

Zeka: Zgjedhjet e parakohshme vonojnë procesin e reformave në ekonomi

Foto: Koha

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, tashmë të shpallura më 6 tetor, pritet të ndikojnë edhe në fushën e ekonomisë.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, proceset e shpeshta zgjedhore ndikojnë në disponimin e investitorëve të huaj.

Ai në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka thënë se faktori politik është një nga faktorët e rëndësishëm që analizohet nga investitorët, qofshin ata të jashtëm apo të brendshëm.

Sipas tij, çfarëdo pasigurie politike, në këtë rast mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve, ndikon në disponimin e këtyre investitorëve.

Zeka potencon se kjo situatë frenon një pjesë të zhvillimeve edhe në aspektin legjislativ.

Ai thotë se çfarëdo që ka qenë në proces legjislativ në legjislaturën paraprake, me krijimin e Kuvendit të ri dhe institucioneve të reja do të kthehen në pikën zero, e që sipas tij, kjo do të thotë vonesë në procesin e reformave ose vonesë në krijimin e një mjedisi më të mirë për të bërë biznes.

“Po i përmendi ligjet tatimore dhe një sërë ligjesh tjera që kanë qenë në proces përfshirë edhe Ligjin e punës, i cili është një pjesë e rëndësishme legjislative që rregullon e raportin ndërmjet e punëtorëve dhe punëdhënësve, për cilën është shpenzuar shumë kohë në dy-tre vjetët e fundit, kohë e vlefshme e institucioneve, si dhe nga ana e përfaqësuesve të organizatave të sektorit privat, përfshirë këtu edhe ne. Të gjitha ato rekomandime, komente që janë dhënë, duhet të përsëriten dhe kjo e bën të pakuptim procesin”, ka thënë ai.

Duke folur për projektet ekonomike që do të pengohen nga zgjedhjet, Zeka ka përmendur Telekomin.

Ai thotë se përgjatë kësaj situate aktuale politike, Telekomi nuk do të ketë vëmendjen e institucioneve.

“Po nisi nga ato që janë të natyrës urgjente, siç është nevoja e ristrukturimit e Telekomit të Kosovës që punëson mijëra persona. Telekomi i Kosovës do të pësojë edhe me tej si pasojë e kësaj situate, pra nuk do të mund të përfundojë procesin e ristrukturimit, e aq më pak të flitet për privatizimin. Në anën tjetër, problemet financiare të Telekomit që janë nuk e di nëse do të na japin luksin që të presim për një moment më të mirë kur ajo mund të ristrukturohet”, thotë ai.

Sipas tij, tashmë ka një kërkesë në gjykatë nga ana e një kreditori apo një pale, e cila nëse ekzekutohet si e tillë, atëherë do të vë Telekomin e Kosovës në probleme edhe më të mëdha financiare.

“Ky është njëri prej projekteve, e theksova për faktin se prek fatin e mijëra të punësuarve dhe mijëra familjeve, por janë edhe shumë projekte të tjera. Projektet tjera që do të mbesin peng i përfundimit të procesit zgjedhor dhe krijimit të institucioneve të reja, do të jenë edhe aplikacionet e investitorëve potencialë strategjikë, e që janë mbi dhjetë, të cilat presin përgjigje”, shton tutje Zeka.

Ai thotë se në këtë situatë politike, institucionet nuk mund të japin përgjigjen e duhur nëse një kompani plotëson kriteret për të marrë statusin e investitorit strategjik.

Sipas tij, kjo do të thotë që edhe durimi i investitorëve potencialë mund të soset dhe ata mund të marrin vendimin përfundimtar që të ndërpresin interesimin tyre për të investuar në Kosovë, e cila do të bënte dëm për vendin.

“Po ashtu, si projekte që do të hasin në vonesa janë edhe shumë iniciativa për krijimin e zonave të lira ekonomike ku është edhe Zona Ekonomike Amerikane e cila nuk mund të marrë një formë dhe të rregullohet në aspektin ligjor. Edhe ato kompani amerikane të cilat kanë dëgjuar për këtë projekt do të shohin një devalvim, pasi që asgjë nuk ndodh në terren dhe gjithçka vonohet deri në krijimin e institucioneve të reja”, ka shtuar tutje ai.

Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu.