Arbëri

S’ka koalicion të madh: LDK, Vetëvendosje e PDK garojnë të vetme

Është mbyllur pa koalicion të madh afati për deklarimin e bashkimit të subjekteve politike për të garuar bashkë në zgjedhjet 6 tetorit. 

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë dështuar që të merren vesh për të lidhur koalicion parazgjedhor, me gjithë përpjekjet e diskutimet. Fillimisht posti i të nominuarit për kryeministër dukej si pengesë për arritjen e koalicionit mes tyre, por LDK-ja ka refuzuar edhe idenë e Vetëvendosjes për një garë të brendshme, në një listë të përbashkët, ku e para do të ishte Vjosa Osmani e i dyti kandidati nga VV-ja.

PDK-ja që vazhdimisht ka thënë se do të garojë e vetme e pa koalicion me ndonjë parti parlamentare, ndonëse zyrtarë të saj kishin deklaruar se pritet që të lidhin marrëveshje me parti të vogla, që në zgjedhjet e kaluara nuk kishin arritur të kalojnë pragun zgjedhor.

Kujtojmë se PDK-së edhe ashtu i kishin vënë vija të kuqe, partitë e mëdha.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka njoftuar në një konferencë për media për katër koalicionet që janë deklaruar se do të garojnë bashkë në zgjedhje.

Ai ka treguar se koalicioni i parë ka qenë ai i subjekteve të komunitetit boshnjak në Kosovë, që garon me emrin “Vakat”. Koalicioni i fundit, i zyrtarizuar pak para orës 24:00 kur përfundonte afati i paracaktuar, ishte ai i partive serbe, që garojnë me emrin “Sloboda”.

Dy koalicionet të cilat kanë qenë të deklaruara më parë, ai ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate, si dhe ai në mes të Nismës Socialdemokrate, Alencës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë, janë certifikuar në orët e mbrëmjes.

Elezi ka treguar gjithashtu se data 6 shtator është afati tjetër në të cilin partitë duhet të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet që mbahen fiks një muaj pas këtij afati.

6 shtatori është data e fundit kur po ashtu subjektet politike duhet të dorëzojnë listat përfundimtare me kandidatë për deputetë.

Ndërkohë kjo është komunikata e plotë e KQZ-së:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur afati për Partitë Politike të cilat kërkojnë certifikim për pjesëmarrje përmes Koalicionit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 6 tetor 2019.

Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (27 – 30 gusht) në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim janë deklaruar këto Parti Politike se do të kërkojnë certifikim përmes Koalicionit:

Koalicioni Vakat, i deklaruar ndërmjet 3 Partive Politike: Demokratska Stranka Bošnjaka, Demokratska Stranka Vatan dhe Ujedinjena Stranka Bošnjaka;

Koalicioni AAK–PSD, i deklaruar ndërmjet 2 Partive Politike: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate;

Koalicioni NISMA–AKR–PD, i deklaruar ndërmjet 3 Partive Politike: Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë; dhe

Koalicioni Sloboda, i deklaruar ndërmjet 2 Partive Politike: Progresivna Stranka Kosova dhe Nova Partija Kosova.

Ju njoftoj se ky kjo është vetëm periudha për deklarim të pjesëmarrjes në zgjedhje përmes Koalicionit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjitha Subjektet Politike (Partitë Politike, Kandidatët e Pavarur, Koalicionet dhe Iniciativat Qytetare) të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës më 6 tetor se afati i aplikimit për certifikim për Subjekte Politike dhe Kandidatët e tyre përfundon më 6 shtator.

Kërkesat për certifikim duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përkatësisht në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, gjatë orarit të punës nga ora 08:00 deri 18:00, ndërsa në ditën e fundit të afatit aplikimet mund të dorëzohen deri në orën 24:00.