Arbëri

QKSS: Komuniteti serb skeptik ndaj Policisë së Kosovës

Descriptive Text

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë sot ka publikuar raportin “Perceptimi i komunitetit serb kundrejt Policisë së Kosovës: mike apo armike?”, ku u tha se komuniteti serb vazhdon të jenë skeptik me prezencën e Policisë së Kosovës në komunat me shumicë serbe.

Ky raport përmbledh gjendjen ekzistuese në lidhje me qëndrimin e komunitetit serb të Kosovës kundrejt Policisë së Kosovës në komunat me shumicë serbe, duke u fokusuar në katër komunat veriore të Kosovës.

Autori i raportit e po ashtu edhe hulumtues në QKSS, Shpat Balaj tha se marrëdhëniet politike mes dy shteteve, kanë shkaktuar një hendek, mes Policisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

"Marrëdhëniet politike mes dy shteteve, ka bërë që policia e Kosovës dhe Serbisë të mos ketë bashkëpunim. Kjo gjendje ka bërë që edhe pjesëtarët e ish-strukturave paralele që tash janë edhe pjesë e krimit të organizuar. Komuniteti serb vazhdon të jenë skeptik me prezencën e Policisë së Kosovës në atë anë. Çdo aksion të Policisë së Kosovës e shohin si frikë. Vizita e presidentit në veri të vendit është konsideruar si provokim", tha Balaj.

Ai tha se janë disa figura të krimit të organizuar që kanë krijuar pushtet dhe janë legjitimuar nga pushteti kosovar, duke përmendur kështu Millan Radojçiqin, raporton KP.

"Veriu i vendit ka qenë cak i sulmeve. Rasti i fundit është edhe vrasja e Oliver Ivanoviqin. Kosova ka punuar shumë për integrimin e komunitetin serb në institucione, por shteti serb ka bërë minimizimin e tyre", tha ai.

Sipas tij, 12,2 për qind është përfshirja e komunitetit serb në Policinë e Kosovës.

"Komuniteti serb e sheh si më të korruptuarin gjyqësorin në Kosovë. Një problem nacional është përdorimi i dytë i gjuhës serbe në stacione", ka thënë ai.

Besim Hoti nga Policia e Kosovës tha se në veri nuk ka zona të nxehta dhe barrikada si viteve më herët.

"Marrëveshjet e karakterit politikë që janë bërë në Bruksel, nuk kanë qenë ekskluzivisht kërkesa të PK-së. Policia e Kosovës ka pasur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e ndryshimeve, veçmas atyre të karakterit të sigurisë. Në qershor 2013 kur është themeluar drejtoria rajonale në veri, kemi pasur 18 barrikada, tani nuk kemi zona të nxehta dhe barrikada si viteve më herët, nuk kemi incidente. Në mungesë të marrëveshjeve politike ka mungesa edhe në Polici të Kosovës, siç është rasti i ekstradimeve. Ka raste të depërtimit por jo të ekstradimit", tha ai.

Xhelal Sfeçla nga komisioni për punë të brendshme, tha se politika di shumë shpesh të marrë vendime të gabuara dhe t’u barten fajet institucioneve tjera.

Ai tha se duhet të ketë ndryshim të ligjeve, dhe se nuk të bihet në kurthin e gabimeve, duke përmendur kështu Presidentin e Kosovës në takimet me Radojçiqin.