Qeverisë së Kosovës e asaj të Serbisë u kërkohet ta marrin më seriozisht çështjen e të pagjeturve

Fatlum Jashari 27 August 2019 19:32

Në vigjilje të 30 gushtit, Ditës ndërkombëtare për personat e zhdukur, organizata joqeveritare dhe ambasadorë të shteteve të ndryshme kërkuan që të punohet më shumë në gjetjen 1653 personave që ende mbesin të zhdukur nga lufta e fundit.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, u bëri thirrje qeverive në Prishtinë dhe Beograd, që të mos e politizojnë çështjen e të pagjeturve, por të angazhohen në gjetjen sa më të shpejtë të një zgjidhjeje, raporton KTV.

Ai u kërkoi politikanëve vendorë që të mos e keqpërdorin këtë temë të ndjeshme gjatë fushatës parazgjedhore.

Ndërkohë, përfaqësuesi më i lartë diplomatik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philipp Kosnett, foli për rëndësinë e “bisedimeve dhe përshpejtimit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Ende ka shumë punë për t’u bërë, sepse të mbijetuarit plaken dhe kujtimet zbehen. Kjo duhej të ishte një arsye për shumë njerëz, që Kosova dhe Serbia, të përshpejtojnë përparimin drejt vazhdimit të bisedimeve për vendosjen e marrëdhënieve normale. Derisa zgjedhjet po afrohen në dy vendet, unë i inkurajoj partitë dhe kandidatët që të shfrytëzojnë mundësinë për t’u treguar votuesve çfarë hapa planifikojnë të ndërmarrin për personat e zhdukur. Të kërkosh drejtësi për viktimat e kaluara është të ndërtosh një themel për paqe të së ardhmes”, ka thënë Kosnett.

Pos politikanëve në Prishtinë e Beograd, Bajram Qerkini nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, faj për mos-zbardhjen e fatit të personave të zhdukur u ka lënë edhe ndërkombëtarëve.

Edhe anëtari tjetër i kësaj organizate, Morad Trifunoviq, ka kritikuar politikë-bërësit për “mungesë interesimi për këtë temë”.

“Ne kurrë nuk do të ndalemi derisa të gjejmë edhe personin e fundit me kalimin e procesit. Derisa politikanët në këto hapësira, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin fatkeqësisht, sipas mendimit personal, nuk janë të interesuar për ta zgjidhur fatin e personave të zhdukur”, ka thënë Trifunoviq.

Pasi u dhanë kritika të tjera për mungesë serioziteti në trajtimin e kësaj teme, edhe ambasadorë të tjerë kërkuan që të bëhen përpjekje më të mëdha për zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e para dy dekadave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme