Arbëri

Bislimi thotë se një sondazh kredibil do të lehtësonte arritjen e koalicionit parazgjedhor VV-LDK

Besnik Bislimi, nënkryetar i Vetëvendosjes, ka thënë se një lehtësim i marrëveshjes për koalicion parazgjedhor mes kësaj partie dhe LDK-së do të vinte nëse del një sondazh që e nxjerr LDK-në të parën, apo VV-në jo fituese.

Në një postim në Facebook, Bislimi ka thënë se një rezultat i tillë “ka mundësi pak a shumë edhe e lehtëson arritjen e marrëveshjes aq të mirëpritur mes VV dhe LDK, sepse ua heq palëve nga dora një pseudoargument që po keqpërdoret pa mëshirë, mes tjerash edhe nga mediat që pozicionimin e kanë brendim dhe obligim".

“Në këto momente shumë të rëndësishme për të ardhmen politike të vendit, një kontribut i madh në largimin e mjegullës dhe megamanipulimit të qytetarëve dhe akterëve politik do të mund të vinte edhe nga institutet që kanë aktivitet primar organizimin e sondazheve serioze me respodentë. Do të ndihmonte shumë nëse do të na tregonin nëse gjendet qoftë edhe një sondazh i vetëm aktual në Kosovë që e nxjerr LDK-në të parën apo qofte edhe një sondazh i vetëm që nuk e nxjerr Lëvizjen Vetëvendosje! fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit. Kjo ka mundësi pak a shumë edhe e lehtëson arritjen e marrëveshjes aq të mirëpritur mes VV dhe LDK, sepse ua heq palëve nga dora një pseudoargument që po keqpërdoret pa mëshirë, mes tjerash edhe nga mediat që pozicionimin e kanë brendim dhe obligim. Do të ndihmonte shumë edhe nëse na tregojnë se a ka qoftë edhe vetëm një sondazh serioz që e nxjerrë qoftë PDK, qoftë koalicionin AAK-PSD si lojtar serioz për më lartë se vendin e tretë”, ka shkruar ai.

Pavarësisht diskutimeve qe një kohë, të dy partitë janë këmbëngulëse që të marrin për vete mandatarin për kryeministër. Teksa LDK konfirmoi se Vjosa Osmani do të jetë kandidate për kryeministre, në VV akuzojnë LDK-në se fakti që e ka përcaktuar kandidatin i ka pamundësuar negociatat. Kjo parti kërkon që kandidat për kryeministër i koalicionit të përbashkët parazgjedhor të jetë Albin Kurti, kryetar i VV-së.