Arbëri

Bahtiri ia kujton Molliqajt kohën kur ishin bashkë, thumbon rëndë Lladrovcin

Foto: Koha

Kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i është përgjigjur kritikave që për adeimin e tij në Vetëvendosje kanë hedhur ish sekretari i kësaj të fundit, Dardan Molliqaj, si dhe kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Të parit ia ka shkëputur një video rreth 30 sekondëshe, ku në një konferencë të përbashkët Molliqaj atëherë pjesë e Vetëvendosjes, kërkonte vota për Bahtirin. E më i ashpër ka qenë ndaj Lladrovcit. Ka thënë se është krenar që askush nuk e ka kandiduar, duke i bërë shantazh me incizime të paraluftës a luftës.

“Aderimi im dhe i qindra aktivistëve e simpatizantëve nga AKR-ja në Lëvizjen Vetëvendosje, duket se i ka vënë në siklet ata që patën dëshirë ta shkatërrojnë këtë subjekt politik dhe shpresën për ndryshim me në krye Albin Kurtin. Edhe pse personalisht nuk jam marrë shumë me reagimet e ndryshme që po ndodhin ditëve të fundit, mirëpo më vjen keq për atë që ka shkruar njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt në VV që e kam pasur gjatë qeverisjes time në mandatin e parë, z. Dardan Molliqaj”, ka shkruar Bahtiri.

“Unë i jam falënderues për punën e jashtëzakonshme që ka bërë për lidhjen e koalicionit të VV-së më mua si kryetar komune në vitin 2016, ku z. Molliqaj ishte personi kryesor që e ka negociuar marrëveshjen dhe që e ka vlerësuar lartë punën time, ku ndër të tjera pat thënë: ‘E kemi vlerësuar qëndrimin e tij dhe e vlerësojmë edhe sot, besojmë që është i vetmi person në institucionet e Republikës së Kosovës që ka pas një qëndrim të drejtë, të dinjitetshëm dhe të fuqishëm’”, ka shkruar Bahtiri.

Ish-deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, përmes një postimi në Facebook, duke ironizuar thotë se Agim Bahtiri në VV nuk qenka mandat i vjedhur. Molliqaj shkruan se ish-partia e tij, është e para vetëm për hipokrizi dhe për asgjë tjetër.

“Agim Bahtiri në VV nuk qenka mandat i vjedhur. Rrafsh 2 vjet na patën lodhur me akuzën e vjedhjes së mandateve. Dhe fundi po e rikuptimëson fillimin. Ata ia bëjnë qefin vetes se janë të parët në Kosovë. Ama janë të parët vetëm për hipokrizi, për asgjë tjetër”, ka shkruar ai.

Bahtiri, duke iu përgjigjur Moliqajt në këtë pikë, ka thumbuar edhe ish-partinë e tij, AKR-në e Behgjet Pacollit.

“Sa i përket çështjes së mandatit të fituar me AKR-në, ai, partitë politike dhe gjithë qytetarët e Kosovës e dinë se unë jam votuar si individ dhe besimi më është dhënë si Agim Bahtiri, sepse sa për AKR as 5% nuk i kisha marrë, gjë të cilën rezultati i zgjedhjeve të parakohshme nacionale do ta vërtetojë së shpejti”, ka thënë Bahtiri.

E ka kaluar në reagimin ndaj Lladrovcit.

“E kam edhe një porosi për Ramiz Lladrovcin, se unë nuk them që kam as vlera të vogla, as shumë të mëdha e as jashtëtokësore siç i quan ai, por mendoj se kam vlera mesatare e normale, që janë të mjaftueshme. Mirëpo, jam krenar që askush nuk më ka kandiduar, duke i bërë shantazh me incizime të paraluftës a luftës”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri ka shtuar tutje se e ka thënë edhe në të kaluarën e edhe sot, “se kandidati më i duhur për kryeministër të Kosovës është z. Albin Kurti, të cilit do t’i jap përkrahje dhe ndjehem mirë që jam pjesë e subjektit të tij politik”.

Kujtojmë se dje, në një postim bashkë me një fotografi ku shihet edhe Kadri Veseli duke zgjatur dorën Bahtirin, dhe figura të tjera të PDK-së, Lladrovci ka shkruar se “kur një kryetar komune ndërron parti, thuhet se elektorati ka fat”.

Image

“Gimit i kanë thënë se është shpresë e Kosovës, fat që e ka qyteti i minatorëve, thuhet se edhe Holanda është me fat që e ka. Pres shpejt të çuditet me shoqet dhe shokët që i gjen sikur vetveten me vlera jashtëtokësore. Dro i përzihen kabllat për vizionin dhe misionin pse ka shkuar”, ka shkruar Lladrovci.