Arbëri

Shënohet 21 vjetori i rënies së Ismet Jasharit

Sot bëhen 21 vjet nga rënia e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – Komandant Kumanova.

Ai lindi në fshatin Orizare të Kumanovës më 16 prill të vitit 1967. Ishte i biri i Jashar Jasharit e i nënë Nuries. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa në vitin 1982 u regjistrua në Gjimnazin e Kumanovës.

Ismeti ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ky fond u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Menjëherë pas epopesë së Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, militanti i përkushtuar i luftës çlirimtare Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë. Më 11 mars të po atij viti, ai, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arrin në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e UÇK-së.

Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari, caktohet me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të ushtrisë çlirimtare.

Më 23 gusht të vitit 1998, pasi ushtria armike kishte ndërmarrë të gjithat masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizon rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, në Bajrak të Luzhnicës.

Më 24 gusht në mbrëmje, luftëtarët e lirisë kishin depërtuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte, por luftëtarët militantë, Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj, nuk kishin arritur të tërhiqeshin.

Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, bie Ismet Jashari - Komandant Kumanova. Në altarin e atdheut kishin rënë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj.

Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova./KosovaPress/


09:14 - Haradinaj: Jashari erdhi nga Kumanova në mbështetje të lirisë së vendit

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, duke kujtuar 21 vjetorin e rënies së Ismet Jasharit tha se ai erdhi nga Kumanova në mbështetje të lirisë dhe çlirimit të vendit.

Ai thotë se në përvjetorin e rënies së tij, kujtojnë edhe dëshmorët e tjerë të Brigadës 121 të Zonës së Pashtrikut.

“Në 21 vjetorin e rënies së tij heroike, me nderim kujtojmë të gjithë dëshmorët e Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut, që me krenari mbajti emrin e komandant Kumanovës. Kujtojmë betejat dhe përpjekjet e kësaj brigade të lavdishme, në mbrojtje të pozicioneve të luftës dhe popullatës së zhvendosur në Malet e Berishës dhe dëshmorët që ranë në ofensivat e gushtit, Habib Zogaj, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Afrim Buçaj, dhe Zenun Mataj nga Baballoqi. Lavdi e përjetshme”, ka shkruar ai, transmeton Koha.net.


09:47 -Krasniqi për Jasharin: Në ditë të vështira njerëzit shpalosin vlerat

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi në përkujtim të dëshmorit dhe heroit, Ismet Jashari – Kumanova, ka thënë se gushti dhe shtatori i vitit 1998, ishin përplot ditë të vështira, por të lavdishme, dhe pikërisht në ditë të vështira, njerëzit i shpalosin vlerat, integritetin dhe shpirtin e tyre njerëzor.

“Lavdi jetës e veprës së dëshmorëve të lirisë, Ismet Jashari”, ka shkruar ai.


10:02- Thaçi: Sakrifica e Jasharit për liri, dëshmi e vlerave kombëtare të luftës tonë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar Ismet Jasharin në 21 vjetorin e rënies së tij.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se komandant “Kumanova” ishte njëri nga luftëtarët më të mëdhenj të UÇK-së.

“Sakrifica e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është dëshmia më e mirë e vlerave kombëtare të luftës sonë, së cilës iu bashkuan luftëtarë nga të gjitha trojet shqiptare”, ka shkruar ai.


14:34- Veseli: Jashari ishte atdhetar i pathyeshëm

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se Ismet Jashari, ishte një prej luftëtarëve më të hershëm të UÇK-së.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se sot në 21 vjetorin e rënies, ai kujtohet si atdhetar i madh, i guximshëm e i pathyeshëm.

“Ismet Jashari – komandant “Kumanova”, ishte një prej luftëtarëve më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Liria e një populli fitohet vetëm me gjak!” – thoshte gjithmonë dhe për lirinë tonë e dha edhe jetën. Sot, në 21 vjetorin e rënies heroike, e kujtojmë si atdhetar të madh, të guximshëm dhe të pathyeshëm. Rënia e tij, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë, ishte një humbje e madhe për UÇK-në”, ka shkruar ai.


15:57- Limaj: Dhimbja për “Kumanovën” na shërbeu për ta rifuqizuar brigadën

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në përvjetorin e rënies së Ismet Jashari-Kumanova, ka bërë homazhe në Kleçkë, si dhe ka marrë pjesë në zbulimin e bustit të tij në shkollën “Ismet Jashari – Kumanova”, shkollë e përbashkët e dy fshatrave, Javor dhe Luzhnicë.

Limaj i cili ishte edhe bashkëluftëtar me Ismet Jasharin, ka kujtuar ditët e rënies së komandant Kumanovës, duke thënë se pas kësaj goditje kanë vendosur që dhimbjen që u shkaktua me vrasjen e komandant Kumanovës e shumë të tjerëve, ta kthejnë në kujtim për veprat e tyre që do të shërbenin të vazhdonim fuqishëm luftën ku e lanë ata.

Postimi i plotë i Limajt:

U mblodhëm sot sërish në Kleçkë për ta kujtuar atdhetarin dhe trimin Ismet Jashari-Kumanova, bashkë me shumë të tjerë që ja falën jetën lirisë së shenjtë dhe historisë sonë i dhanë madhështi e lavdi.

Ne kishim marr një goditje të jashtëzakonshme, shumë të rëndë para 21 vitesh, ishim para opsionit që nga kjo goditje të gjunjëzohemi apo ta kthejmë në forcë. Ishte një moment që UÇK në këtë zonë të rimobilizohej për të vazhduar rrugën e shokëve tanë apo të zhdukej dhe të ndërpritej ëndrra për çlirim. Nëse do të ndaleshim do të tradhtonim gjakun e atyre që ne i humbëm.

Nëse do të ndaleshim, forcat serbe do të futeshin në këto zona dhe do të masakronin familjarët tanë e popullin që ishte strehuar.

Pas kësaj goditje e dy dilemave, ne vendosëm që dhimbjen që na u shkaktua me vrasjen e Komandant Kumanovës e shumë të tjerëve, ta kthejmë në kujtim për veprat e tyre që do të na shërbenim të vazhdonim fuqishëm luftën ku e lanë ata.

Brigada 121 pësoi një goditje të madhe nga korriku e deri më 25 gusht, humbëm 14 luftëtarë e që ishte 70% e udhëheqjes së brigadës, ishin drejtues të saj.

Në takimin e 25 gushtit pas betejës së përgjakshme dhe rënies heroike të Ismetit e burrave tjerë si dhe plagosjes së disa shokëve, ne u mblodhëm dhe në atë moment kritik vendosëm dhe u ribetuam që kjo goditje e rëndë që na shkaktoi plagë do të na dhemb, por do ta kthejmë në forcë për ta rifuqizuar brigadën tonë e cila nuk u shua por u fuqizua shumë deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës. Sukseset e Brigadës 121 janë arritur për faktin se kishte rregull dhe gatishmëri për sakrificë. Vet rënia e Kumanovës tregon se sa ka qenë e përkushtuar Brigada 121.

Emri i Ismet Jasharit iu dha rrugëve, shkollave, iu dha Kosovës së lirë! Dhe, ne sot, zbuluam edhe bustin e tij te shkolla “Ismet Jashari – Kumanova”, shkollë e përbashkët e dy fshatrave, Javor dhe Luzhnicë.

Pas kaq viteve banorët e kësaj zone po i ruajnë shenjat e luftës sonë të lavdishme, shenjat e heronjve tanë, dëshmorëve tanë. Këta banorë në vazhdimësi kërkojnë që të mos shkëputet lidhja me luftën e lavdishme të UÇK-së. Busti është shenjë shtesë e fuqishme për tu treguar gjeneratave që vijnë se sa shumë kjo zonë lidhet me lirinë e Kosovës.

U jemi mirënjohës intelektualëve dhe banorëve të këtyre dy fshatrave që në luftë u angazhuan bashkë me ushtarët, por edhe që po i mbajnë të fuqishme lidhjet me të kaluarën tonë të lavdishme.

Lavdi e përjetshme Komandant Kumanovës dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.