Arbëri

Veseli zotohet se në qeverinë e tij do të ketë më shumë ministra të rinj dhe të pakorruptuar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kanë takuar sot dhjetëra të rinj që përfaqësojnë organizatat më të mëdha rinore të Kosovës, për të diskutuar për mbështetjen e tyre nëpërmjet fondit të rinisë, i cili është krijuar me iniciativë të Veselit tash e një vit, transmeton KosovaPress.

Gjatë diskutimeve me liderin e PDK-së, i cili është edhe kandidat për kryeministër të Kosovës, të rinjtë thanë se me formimin e fondit rinor kanë përfituar shumë projekte përmes të cilave kanë arritur të hapin biznese të vogla dhe të realizojnë idetë e tyre të ndryshme për të rinjtë e tjerë.

Ata e pyetën liderin e PDK-së se a do të emërojë edhe në të ardhmen ministra të rinj sikur ai aktual i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili i ka mbështetur në idetë e tyre.

"Më pyete Resul se a do të ketë më shumë ministra të rinj në Qeverinë time. Ka me pas më shumë ministra si Kujtimi, por nuk do të ketë asnjë ministër që është i korruptuar dhe që është me aktakuzë, po ua jap fjalën për arsye se nuk duhet të kenë përspektivë njerëzit e tillë. Kemi arritur deri diku, duhet ta ruajmë këtë me fanatizëm. Të mendojmë bashkërisht të ecim përpara, me ndershmëri, me vizion, me vendosshmëri. Po kërkoj nga ju besoni në shtetin tonë shumë, mos lejoni të krijohet mjegullim në shtetin tonë. Shteti i Kosovës është shtet shqiptar dhe i gjithë qytetarëve që jetojnë këtu, por 92-93 përqind janë shqiptarë. Ta forcojmë këtë shtet, ta forcojmë identitetin, t'i forcojmë simbolet, ta luftojmë korrupsionin, ta luftojmë nepotizmin si po na zë frymën sepse për atë arsye po na ikin të rinjtë. T’i japim perspektivë të rinjve. Pra unë do ta bëjë këtë, do të ballafaqohem me çdo sfidë kus hdo qoftë", tha Veseli.

Ndërsa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha para të rinjve se falë mbështetjes së kryetarit Kadri Veseli, ka arritur që brenda dy viteve ta ndryshojë ligjin për rininë, ta formojë fondin prej 1.2 milion euro për të rinjtë, si dhe ta rregullojë bazën rregullative që të rinjtë që bëjnë punë vullnetare nëpër organizata e institucione, ajo pjesë tu njihet si përvojë e punës.

"Ne kemi një kryetar i cili vërtetë unë ndihem shumë krenar, veçanërisht me mbështetjen e madhe që më ka dhënë në fushën e rinisë. Pa kryetarin Veseli nuk do ta kishim Fondin Rinor, nuk do ta kishim Ligjin e Ri për Rininë, nuk do ta kishim Databazën për Punën e Vullnetarit dhe nuk do ta njihnim punën e vullnetarëve në terren dhe nuk do ta kishim këtë përkrahje dhe këtë fuqi. Ju thatë shumë fjalë të mira për mua, ju falënderojë sepse për të gjitha këto punë të mëdha unë kam pasur mbështetjen e fuqishme të Kryetarit të Kuvendit , por edhe të kryeministrit tonë të ardhëm Kadri Veselit", tha ministri Gashi.