Kosova, deponi bërlloku

Kosova, deponi bërlloku

Besnik Krasniqi Besnik Krasniqi 24 August 2019 08:03

Është java e parë e gushtit përvëlues dhe Lumturija e Enveri nuk e ndalin punën as në pikun e ditës, në mësymjen për ta ngritur një kasolle me gjësende që i kanë gjetur në bërllok. Material pune kanë vetëm trarë, dërrasa e teneqe të moçme.

“Shtëpia” e re që po merr formë ngjason me një kolibe të braktisur. Ndërkaq, duket si deponi mbeturinash grumbulli i materialit që akoma nuk e kanë futur në punë.

Kasollen po e ngrenë në truallin dyarësh që daja i Enverit ua ka blerë, e që ka rastisur të jetë ngjitur me një deponi ilegale bërlloku, në periferi të Fushë-Kosovës.

“Edhe pardje e edhe dje kam hequr bërllok, por kot”, ankohet Lumturija për mbeturinat që ia vërshojnë edhe truallin e ri të saj. “Në mbrëmje po e mbushin prapë”.

Jeta e këtij qifti që i përket komunitetit egjiptian, por edhe e katër fëmijëve që i kanë, mbahet me atë çfarë gjejnë në koshat e mbeturinave. Strehën janë duke e bërë nga dërrasa, teneqe e madje edhe dritare që i kanë gjuajtur të tjerët. E, bukën e gojës e sigurojnë nga paratë që marrin për mbeturinat e riciklueshme që i mbledhin.

Enveri tregon se dhjetëra kilometra rrugë bën secilën ditë, duke i rënë kontejner më kontejner, për të mbledhur sasi kënaçesh, e për t’i shitur në mbrëmje për një shumë prej diku 5 eurosh.

Punë të njëjtë me të bëjnë shumë romë, egjiptianë e ashkalinjë. Duke qenë këto komunitetet më të lëna pas dore në Kosovë, pjesëtarët e tyre e kanë të vështirë të gjejnë punë. Prandaj, ata përbëjnë armatën kryesore që merret me “riciklimin”.

Kësisoj, nga menaxhimi joadekuat që komunat e Qeveria e demonstrojnë në raport me mbeturinat “përfitojnë” kryesisht familje të varfra.

Fushë Kosova, duke qenë fare në periferi të kryeqytetit, në vitet e fundit është mbipopulluar dhe është kthyer në kantier ndërtimesh të larta. Duke mos pasur deponi të caktuar për materialet ndërtimore që nuk hyjnë në punë, ato hidhen ilegalisht.

Në Fushë-Kosovë sivjet janë identifikuar 56 deponi ilegale, ndryshe nga dy vjet më parë kur ishin vetëm 10 sosh.

Autoritetet komunale përmendin shumë faktorë, si pasojë e të cilëve është krijuar i gjithë ky bërllok. Por, e drejtojnë gishtin edhe kah qytetarët që u përkasin komuniteteve të margjinalizuara, kur arsyetojnë numrin e madh të deponive të jashtëligjshme që shihen gjithandej.

“Ky numër i rritjes së deponive ka të bëjë me ... prezencën e madhe të komuniteteve RAE (rom, ashkali, egjiptian v.j.) – disa prej tyre merren me riciklimin e mbeturinave dhe mbetjet e tyre i hedhin duke krijuar deponi”, thuhet në një përgjigje që autoritetet komunale ia kanë dhënë gazetës me e-mail. “Komuna e Fushë-Kosovës ka shpallur tender të hapur për të eliminuar këto deponi. Javën e kaluar janë larguar dy sosh – në Bardh të Madh dhe në rrugën ‘Meshari’ në lagjen e komuniteteve RAE. Tani kanë mbetur edhe 54. Deponitë ilegale eliminohen në vazhdimësi, por për fat të keq ato po na rikrijohen”.

Është krijuar menjëherë deponia në rrugën “Meshari”, për të cilën autoritetet kanë thënë se e kanë larguar. Ajo ndodhet afër urës, në rrugën nga Fushë-Kosova për në fshatin Kuzmin, e pranë së cilës e kanë ngritur kasollen Lumturija dhe Enveri. Plehra dhe mbetje të materialit ndërtimor janë shpërndarë anash rrugës, por edhe përgjatë lumit që kalon andej. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme