Kanë kaluar 10 vjet nga aksioni i Lëvizjes Vetëvendosje, kur aktivistë të kësaj lëvizjeje, me mjete të ndryshme, dëmtuan dhe kthyen përmbys makinat e Misionit të EULEX-it
E për këtë aksion, prokuroria ngriti aktakuza ndaj 27 aktivistëve të Vetëvendosjes për “Pjesëmarrje në grup” dhe “dëmtim të pasurisë së paluajtshme”
E pasi vepra “për dëmtim të pronës së paluajtshme ishte parashkruar, procesi gjyqësor kishte vazhduar vetëm për akuzën për “pjesëmarrje në grup”.
Moscaktimi i seanca gjyqësore, refuzimi për t’iu përgjigjur ftesave të gjykatës dhe kthimi në pikën zero i këtij procesi, ka bërë që kjo lëndë brenda dy ditësh, ta arrijë parashkrimin absolut.
Njëri nga 27 të akuzuarit në këtë rast, deputeti i Vetëvendosjes Salih Zyba thotë se përkundër faktit se kjo lëndë po parashkruhet, ata e vuajtën dënimin përmes arrestimeve dhe ndalesave që ndodhën disa herë gjatë këtyre viteve.
Derisa gjithë procesin gjyqësor e konsideron si të padrejtë.
Por, kjo është vetëm njëra nga shumë lëndë që u parashkruan këtë vit në sistemin e drejtësisë.
Vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës, brenda 6 muajve të parë të këtij viti, u parashkruan 618 lëndë .
Sipas të dhënave të kësaj gjykate, numri i parashkrimit të lëndëve ka rënë për 17.7%, krahasuar me vitin e kaluar.
Por, organizata e cila monitoron seancat gjyqësore thotë se çdo ditë identifikojnë lëndë të cilat po parashkruhen nga sistemi i drejtësisë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se arsyet kryesore të parashkrimit të këtyre lëndëve janë të natyrës objektive, ku palët në shumicën e rasteve, janë të paarritshme për Gjykatën dhe organet e tjera të ndjekjes. Palët kanë ndërruar vendbanimin ose gjenden jashtë territorit të Kosovës.