Kryetari i Aleancës Kosova e RE (AKR), Behgjet Pacolli nuk ka dashur të komentoj largimin e Agim Bahtirit nga partia e tij, i cili pritet që sot zyrtarisht t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se nuk merret me individë dhe se nuk hidhërohet me askënd.
Pacolli po ashtu tha se AKR si subjekt politik ka ekzistuar, është dhe do të ekzistojë gjithmonë.
“Nuk merrem me persona, AKR ka lindur si subjekt politik, në AKR kanë ardhur njerëzit janë edukuar kanë marrë forcë, e kanë marrë si trampolinë kanë shkuar dhe AKR është këtu gjithmonë. Ne jemi liberal nuk hidhërohemi me njerëz që vijnë dhe shkojnë. Vlerë të madhe i japim vetëdijes së njerëzve. Nuk do merrem me persona, do merrem me subjektin politik AKR i cili ka ekzistuar, është dhe do të ekzistoj”, tha ai.
Kujtojmë që kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri do të zyrtarizojë sot kalimin e tij në Lëvizjen Vetëvendosje.
Lajmin për aderimin në Vetëvendosje e ka konfirmuar për KTV-në vetë Bahtiri të mërkurën.