Arbëri

Haradinaj priti në takim lamtumirës Kapitanoviqin: Kroacia shembull që duhet ndjekur

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim lamtumirës ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.

Duke vlerësuar kontributin e ambasadores Kapitanoviq gjatë misionit në Kosovë, Haradinaj, tha se Kroacia është partner i rëndësishëm dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, me theks avancimi në zhvillimin ekonomik.

“Kroacia mbetet shembull i mirë që duhet ndjekur në procesin e integrimeve euroatlantike”, tha Haradinaj, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që raportet ndërshtetërore të vazhdojnë në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Tutje ai theksoi përkrahjen e rëndësishme të Kroacisë për proceset në Kosovë, me theks të veçantë liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Më tej, kryeministri tha se Qeveria e Kosovës, por edhe institucionet tjera në vazhdimësi kanë qenë të përkushtuar në integrimin dhe rritjen e mirëqenies për të gjitha komunitetet, përfshirë këtu edhe komunitetin kroat.