Zyrtarët e LDK-së i gëzohen lajmit se me VV-në kanë nisur grupet punuese për koalicion

Zyrtarët e LDK-së i gëzohen lajmit se me VV-në kanë nisur grupet punuese për koalicion

21 August 2019 12:07

Së paku tre zyrtarë të lartë të LDK-së, e kanë nisur ditën me Kohën Ditore, e i kanë vlerësuar lajme të mira ato që janë shkruar, me aludimin e qartë në kryelajmin e sotëm të gazetës, se LDK-ja dhe Vetëvendosje e kanë vënë në nivel të grupeve punuese mundësinë për koalicion parazgjedhor.

Deputeti i LDK-së për disa mandate, Arben Gashi, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dhe Faton Peci, kanë postuar fotografi me Kohën Ditore të ditës së sotme.

“Lajme të mira”, ka shkruar deputeti Gashi, duke e shoqëruar këtë shkrim të shkurtë me një figurë të shkeljes së syrit.

“Ndryshimin e bëjmë bashkë , me dije dhe me zemër, pa bajraktarizëm por me vullnetin e qytetarit”, ka shkruar në postimin e vet Tahiri, që po ashtu e ka shoqëruar me fotografinë ku shihet duke e lexuar gazetën.

“Lajme hard copy”, ka shkruar Peci.

Koha Ditore në lajmin kryesor të numrit të sotëm ka shkruar për takimin e parë në nivel të grupeve punuese në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e koalicionit parazgjedhor, i cili megjithatë ka përfunduar pa pajtueshmëri rreth kandidatit për kryeministër e as për parimet qeverisëse.

Nga takimet ndërmjet kryetarëve, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, këto dy subjekte i kanë zgjeruar konsultat edhe në grupe punuese. Të hënën është mbajtur edhe takimi i parë mes tyre. Nga ana e LVV-së kanë qenë Glauk Konjufca dhe Besnik Bislimi, ndërsa nga LDK-ja, Avdullah Hoti dhe Kujtim Shala.

Derisa në LDK nuk janë deklaruar pjesëmarrësit e takimit dhe modalitetet që janë diskutuar, në LVV thonë se aty i kanë shpalosur arsyet pse Albin Kurti duhet të jetë kandidat i përbashkët për kryeministër.

Ndërkaq LDK-së i është ofruar posti i presidentit dhe ai i kryetarit të Kuvendit. (Më shumë detaje mund të gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Betim21/08/2019 15:56

O jepjani LDK-se 16 ministri, presidentin edhe kryeparlamentarin vec le te bahet qikjo qeveri se shkum posht.

Shto koment

Të ngjashme