Kur deputetët e PSD-së ishin në VV, AAK-në e quajtën ‘parti e haraçit’, tani ‘e fitores’

Valbona Bytyqi 20 August 2019 19:09

Dikur ishte parti haraçi e argat i Kadri Veselit, por, për disa nga figurat e PSD-së, nga e hëna, AAK-ja është kthyer në parti shprese për Kosovën.

Sa ishte sekretar organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, kishte akuzuar vazhdimisht AAK-në e, veçanërisht, Ramush Haradinajn për lidhje me krimin e organizuar, raporton KTV.

Por, disa vjet nga këto deklarata, Molliqaj e ka cilësuar “fillim të fitores së madhe” bashkimin me AAK-në.

Bashkimin me Ramush Haradinajn, që dikur e kishte quajtur milioner, Molliqaj e ka vlerësuar si koalicion që do t’i dalë përpara varfërisë e pabarazisë.

Jo vetëm Molliqaj, por edhe zyrtarë të tjerë të PSD-së, vazhdimisht kishin drejtuar akuza të shumta ndaj AAK-së.


Në vitin 2016, deputeti i kësaj partie, Frashër Krasniqi, e kishte quajtur AAK-në ‘argat i Kadri Veselit’.

Por, të gjitha këto akuza, tani për partnerin e tyre të koalicionit, PSD-ja po i vlerëson si të tejkaluara e veten më të pjekur politikisht se kur ishin pjesë e Vetëvendosjes.

Koalicionet e tilla të partive me programe e orientime të ndryshme, sipas Arton Demhasajt, nga organizata “Çohu”, nuk janë të natyrshme dhe bazohen vetëm në kalkulime e përfitime të tyre.

Sipas marrëveshjes për koalicionin parazgjedhor mes PSD-së dhe AAK-së, bartës i listës zgjedhore, njëherësh edhe kandidat për kryeministër, do të jetë Ramush Haradinaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme