Beqiri për tërheqjen e SHBA-së nga Agjencia e Pronës: Kreatorët e korrupsionit po qajnë me "lot krokodili"

Beqiri për tërheqjen e SHBA-së nga Agjencia e Pronës: Kreatorët e korrupsionit po qajnë me "lot krokodili"

17 August 2019 12:34

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka reaguar pas dorëheqjes së Ambasadës së Amerikës nga Agjencia për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Madje ai përmes një statusi në Facebook ka thënë se kreatorët e këtyre të këqijave që po i ndodhin Kosovës, po qajnë me lot krokodili.

Beqiri thotë se këto ditë ka pasur reagim të fuqishëm të miqve amerikan, britanik, gjerman për krimin e organizuar, korrupsionin, mungesën e sundimit të ligjit, nepotizmin.

“E dalin ‘reagojnë’ ata që janë kreator të këtyre të këqijave, edhe me votën e tyre, me veprimin apo mos veprimin e tyre, ata që padyshim janë ndihmesë e fortë e këtyre dëmeve të mëdha që po i bëhen shtetit dhe qytetarëve tonë. Vërtetë e habitshme, si kanë guxim dhe fytyrë”, thotë ai.

E për koalicionin PAN, ai thotë se nuk do shumë koment, pasi që sipas tij, veç mirëqeverisja ka munguar.

“Po shpresojmë që qytetarët më nuk do t’iu besojnë këtyre ‘lotëve të krokodilit’ Ikni se na bëtë horë para qytetarëve dhe miqve tonë”, thotë ai.

Beqiri thotë se nuk ka shtet të mirëfilltë dhe mirëqenie të qytetarëve, pa sundim të ligjit, pa shtet ligjor.

Ai thotë se “edhe hajn shtetëror, i korruptuar, pjesë e krimit të organizuar, nepotist, edhe patriotë, pushtetar i mirë, udhëheqës i mirë, këto nuk shkojnë bashkë, është vetëm një e vërtetë e jo dy”.

“Kosova është e vogël, secili e din për secilin, ku ka qenë e kush ka qenë dhe ku ka mbërri? Disa assesi me burrni dhe ndershmëri, por me hajni dhe paligjshmëri”, thotë ai.

Sipas tij, është koha e fundit të dënohen, me votë dhe para drejtësisë, pavarësisht emrit dhe “fuqisë “së tyre, pasi që sipas tij, vetëm shteti ligjor na nxjerr nga kjo katandisje e thellë.

Kujtojmë se dje Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bëri me dije se SHBA-ja është tërhequr nga Bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, siç kishte bërë më parë edhe Britania e Madhe.

Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se pas kësaj duhet të alarmohen të gjithë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme