Arbëri

Mustafa: Serbia të detyrohet për kompromise, ngjashëm me kompromiset që Kosova ka bërë në Vjenë

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh ekspert i çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa, duke folur për kompromiset dhe kufijtë me Serbinë, ai ka thënë se Kosova në Vjenë i ka bërë të gjitha kompromiset që ia ka kërkuar Bashkësia Ndërkombëtare.

Ai thotë se përderisa dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë ka mbetur në një udhëkryq, funksionarët politikë në Serbi vazhdojnë t’i bien telit se gjoja Prishtina, me taksën ka bllokuar procesin e negocimit për normalizim.

Duke komentuar deklaratat e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila përveç tjerash tha se Serbia nuk do të lejojë që Prishtina t’i fitojë të gjitha e Beogradi të humbë gjithçka, Mustafa thotë se në këto qëndrime ka një sërë konstruktesh për qëllime propagandistike dhe për të hapur çështjen e zgjidhur të statusit të Kosovës të konfirmuar edhe me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelë të drejtën ndërkombëtare.

Ndaj, sipas tij, Kosova duhet të flasë me një zë duke evituar demagogjinë primitive e protagonizmin politik, ndaj zërave të caktuar ndërkombëtar e edhe ndaj Serbisë, se Kosova i ka bërë të gjitha kompromiset që i ka kërkuar Bashkësia ndërkombëtare në negociatat e Vjenës.

Mustafa thotë se brenda kompromiseve të kërkuara të Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj Kosovës në Vjenë janë marrë parasysh edhe shumë kërkesa të prezantuara nga Serbia në këto negociata, duke e krijuar një asimetri në të drejtat e pakicës serbe në krahasim me të drejtat e pakicave kudo në Evropë.

“Serbia nuk ka aprovuar asnjë kërkesë të komunitetit ndërkombëtar për kompromise në Vjenë. Andaj Kosova duhet të ketë një qëndrim të qartë e pa ekuivokë: Pikënisja e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve duhet të jetë njohja reciproke, duke përfshirë edhe anëtarësimin në OKB. Hapi vijues duhet të jetë rregullimi i marrëdhënieve ndërshtetërore dhe të pozitës së pakicave, marrëdhënieve ekonomike, arsimore e kulturore në bazë të parimit të reciprocitetit. Këtu pastaj mund të diskutohen, pra, pas njohjes reciproke, me parim te reciprocitetit, edhe çështjet e tjera të ndjeshme por duke pas parasysh kontekstin e stabilitetit rajonal dhe qëndrimet e partnerëve tanë Euro-atlantikë”, ka shkruar ai.

Ndaj, sipas tij, kërkesa edhe e akterëve të caktuar nga qarqe ndërkombëtare për kompromise nga ana e Kosovës, në këmbim “të vullnetit të mirë të Serbisë“ është jokorrekte.

Mustafa thotë se Serbia duhet të detyrohet që për fillim të bëjë kompromise ngjashëm me kompromiset që ka bërë Kosova në Vjenë, ta njohë Kosovën dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

“Çështjet e tjera të lidhura me normalizimin rregullohen me vullnet të të dyja palëve mbi parim të reciprocitetit. Këtu vie edhe çështja taksës. Negociatat në Bruksel nuk mund të kushtëzohen nga asnjëra palë, ky ka qenë primi nisës i tyre, prandaj taksa nuk mund të merret si pretekst. Me produktive do të ishte që të kuptohet prapavija taksës”, ka shkruar ai në Facebook.