Arbëri

Isufi s’e përjashton koalicionin me PSD-në, thumbon takimet Mustafa – Kurti

Ahmet Isufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se nuk është në rregull të thuhet që do të garojmë të vetme në zgjedhje, e të takohen çdo ditë për koalicione të mundshme, duke aluduar në takimet e fundit mes Isa Mustafës së LDK-së e Albin Kurtit të VV-së.

Tha se ftesa e dhomave te specializuara për Ramush Haradinajn ka qenë befasi edhe për vet atë, për çka tha se nuk duhet t’iu mbetet hatri partnerëve të koalicionit që nuk i ka lajmëruar më herët.

“Nuk duhet t’iu mbetet hatri partnerëve të koalicionit që nuk i ka lajmëru, se menjëherë pas ftesës ai ka marrë vendimin, ka qenë befasi edhe për neve”, ka thënë Isufi, përcjell Ksp.

Ai ka thënë se janë dhënë dy tri propozime në mbledhje të Kryesisë së Kuvendit për datën e seancës për shpërndarjen e parlamentit.

“Reagimi i përfaqësues së BE-së, ka bërë që të vendoset për 22 gusht, sepse arsyetimi i tyre ka qenë që të vendoset kjo datë”, tha Isufi.

Ai la të nënkuptohet se AAK është e gatshme të lidhe koalicion me PSD-në.

“Fushata ka filluar, po shohim lëvizjet që po bëhen, për koalicione janë të çuditshme. Sjellja e PSD-së në raport me interesat e institucioneve dhe qytetarëve na kanë bërë me besu që mund të bëjmë koalicion”, ka thënë Isufi.

Këto deklarata Isufi i bëri gjatë debatit ‘Çfarë zgjidhje ofrojnë zgjedhjet?’, e organizuar nga Riinvest.